Vrasja e Ademjat, Jahjaga: Ne po dështojmë, çdo vit e më shumë
F.S / RTKlive
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se derisa bota është duke shënuar fushatën “16 ditë kundër dhunës në baza gjinore” me aktivitete të ndryshme, Kosova është duke dështuar.
“Bota është mobilizuar duke shënuar 16 Ditë Kundër Dhunës në Baza Gjinore me aktivitete të ndryshme që të arrijmë vetëdijesimin për parandalimin e dhunës. Ndërsa në Kosovë, po gjatë këtij 16 ditëshi, ne po dështojmë, çdo vit e më shumë, çdo vit e më keq”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.
Vrasja e Liridona Ademajt, sipas saj, në mënyrë kaq brutale e të pamëshirshme është dëshmi e qartë për rrënjët e thella të patriarkatit në vend, të mendësisë së cekët, e të pamëshirshme ndaj grave në vend.
“Të jetë humbja e Liridonës rasti i fundit. E kryerësit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar sa ma shpejtë! Ndërsa, Policinë e Kosovës duhet duartrokitur për reagimin dhe zbardhjen e shpejtë të rastit. Ngushëllimet më të sinqerta për familjën e Liridonës! Ngushëllime dy engjëjve të cilëve, jeta u mori një kthesë të rëndë, kaq padrejtësisht”, ka shkruar Jahjaga.























