Peticioni për shkarkimin e kryetarëve në veri,reagon ministri Krasniqi
M.Miftari/RTKlive
Serbët në veri kanë filluar të formojnë grupet nismëtare për shkarkimin e 4 kryetarëve të komunave në veri të vendit. Lidhur me këtë ka reaguar ministri i Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se Ministria që ai drejton nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar.
Ministri Krasniqi tha se Udhëzimi Administrativ, përcakton qartë procedurën e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
“Secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës. Kërkesa për largim duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve me të drejtë vote dhe duhet t’i përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët e interesuar për inicimin e kësaj procedure, themelojnë grupin nismëtar i cili para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve duhet të njoftojë Kryesuesin e Kuvendit Komunal i cili më pas njofton MAPL-në dhe KQZ-në”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, ai shtoi se për këtë nismë është informuar përmes raportimeve në media. Megjithatë, shtoi ai, Ministria që e udhëheq ai nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë çështje.
Ndryshe, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, konfirmoi për RTK-në se kanë pranuar katër e-maila, tre prej të cilëve kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.























