Osmani: Fuqizimi i grave në jetën publike sjell integritet
V. Thaçi / RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e angazhimit të grave në jetën publike si një katalizator për ndryshimet pozitive në shoqëri.
Gjatë një paneli në konferencën për integritetin e informacionit të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), Osmani theksoi se kur gratë marrin pjesë në jetën publike ato tregojnë që me çdo kusht do të luftojnë për integritetin, do të sjellin vendimmarrje, një zë dhe perspektivë më ndryshe, e cila sipas saj doemos e merr parasysh interesin qytetar dhe sjellë në tavolinat e vendimmarrjes problemet më akute të shoqërisë.
Duke u bazuar në statistikat që tregojnë se gratë janë më pak të prirura të përfshihen në veprimtari korruptive, ajo shtoi se fuqizimi i rolit të grave në vendimmarrje do të intensifikojë luftën kundër këtyre fenomeneve negative.
“Gruaja doemos lufton steorotipet, doemos angazhohet në luftimin e përditshëm të krimit dhe korrupsionit. Siç edhe dëshmojnë statistikat se gratë janë shumë më pak të korruptueshme. Pikërisht për shkak se sjellin këto të mira, lufta ndaj tyre ashpërsohet”, tha Osmani.
Presidentja Osmani gjithashtu shprehu shqetësimin e saj për grupet që e shohin fuqizimin e grave në jetën publike si një kërcënim për interesat e tyre të ngushta dhe praktikat e paligjshme.
“Po flas për grupet të cilat për dekada me radhë jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë vende të botës kanë menduar se përpara arrihet jo me punë, jo me angazhim, jo me integritet por nëpërmjet interesave të ngushta dhe metodave të cilat kurrë nuk kanë qenë të mira”, tha e para e shtetit.
Osmani po ashtu tha se rritja e përfaqësimit të grave në jetën publike, zëri i tyre, vendimmarrja i ka bërë më arrogantë ata që janë kundër integritetit në vendimmarrje. “Nëpërmjet integritetit të tillët nuk mund të arrijnë asgjë, prandaj edhe e luftojnë modelin e gruas në politikë”, shtoi Osmani.
Osmani gjithashtu ngriti shqetësimin se për vite më radhë po normalizohet dhuna dhe shtoi se kjo është një sfidë për të gjithë shoqërinë dhe se kjo duhet luftuar me ngulm.
Presidentja tha se institucionet duhet të përballojnë këtë sfidë duke ashpërsuar dënimet dhe duke fuqizuar mekanizmat për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë.























