‘KultPlus’ shpall fituesit për poezi në konkursin ndërkombëtar ‘KultStrofa’
Vera Pelaj /RadioKosova
Gazeta online për kulturë “KultPlus”, sonte do të shpallë fituesit për poezi të edicionit të gjashtë të konkursit ndërkombëtar “KultStrofa”.
Drejtoresha e kësaj gazete Ardianë Pajaziti, për Radio Kosovën, ka thënë që përveç prurjeve cilësore, këtë vit ka dhe shtrirje të gjërë gjeografike të pjesëmarrësve.
Nga 198 poezi, sa kanë arritur në konkursin letrar ndërkombëtar “KultStrofa”, sonte do të shpallen fituesit e këtij edicioni të gjashtë në ceremoninë që do të mbahet në Kafe Gallery “KultPlus”, në Prishtinë.
Drejtoresha e “KultPlus”, Ardianë Pajaziti, për Radio Kosovën tha se përveç prurjeve cilësore, këtë vit ka dhe shtrirje gjeografike shumë të madhe të pjesëmarrësve.
“Përpos që janë cilësore një pjesë dërmuese e poezive, sepse jo të gjitha prurjet mund të vlerësohen cilësore, një pjesë e konsiderueshme janë vlerësuar shumë të mira që mund të shkojnë dhe për botim në një të ardhme. Kemi poet pjesëmarrës nga Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe shumë nga Diaspora”, tha Ardianë Pajaziti.
Juria e përbërë nga kryetari Dr. Agim Vinca, Beti Njuma njohëse e letërsisë dhe Shpat Deda këngëtar, do t’i shpallin sonte tre fituesit e “KultStrofës”. Pajaziti thotë se gjithsej do të jenë dhjetë finalistë.
“Përveç tri çmimeve, fillimisht do të jenë dhjetë finalistë . Nga 198 poetë janë përzgjedh dhjetë finalistë që të dhjetët mund të konsiderohen fitues për faktin se nga ajo listë kaq e gjerë janë futur në dhjetëshen finaliste”, deklaroi Pajaziti.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve të “KultStrofës”, fillon nga ora 19.00.























