‘Uta-Ngjitja për Kosovën’, dokumentari që përmbledh rrëfimin e Ibrahimit
M.P / RTKlive
Si një nga emrat që ka arritur ta valojë flamurin e Kosovës në majat më të larta të botës, Uta Ibrahimi, tashmë të gjitha përvojat alpinistike i ka të bashkuara në një dokumentar të vetëm.
Pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Maleve, Ibrahimi ka njoftuar se dokumentarin “Uta-Ngjitja për Kosovën” tashmë mund ta ndjekin pa pagesë të gjithë të interesuarit. Dokumentari ndahet në pjesën e fëmijërisë, ngjitjes, Everestit, ndikimit dhe në fund shpresës.
“Përtej shfaqjes së ngjitjes sime personale, dokumentari hedh dritë mbi punën e palodhur që kam bërë në Kosovë, duke u përpjekur të frymëzojë të rinjët që të ndjekin ëndrrat e tyre, pavarësisht sfidave me të cilat përballen. Kjo nuk është vetëm një histori ngjitjeje malore; ka të bëjë me tejkalimin e fatkeqësive, gjetjen e forcës në rrënjët e dikujt dhe nxitjen e një shpirti vendosmërie tek gjeneratat e ardhshme”, ka shkruar ajo në facebook.
Në qendër të gjithë rrëfimit është alpinistja e cila përfaqësoi vendin edhe përtej aspektit alpinistik, por duke sjellë kujtime nga lufta e fundit e Kosovës.
“Ky film lundroi thellë në përvojat e mia të fëmijërisë gjatë luftës në Kosovë dhe arriti ta sintetizoi gjithë kujtimin e veprimtarinë në aktin tim final. E gjithë kjo çon në udhëtimin tim për ta sjellë flamurin e Kosovës në majën e botës – Everest”, ka thënë Ibrahimi.























