Maqedonci: Trupat serbe përreth kufirit me Kosovën, kërcënim për Ballkanin
BKT
Lajme

Maqedonci: Trupat serbe përreth kufirit me Kosovën, kërcënim për Ballkanin

E. Hoti / RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur në takim shefen e operacioneve aktuale, `Divizioni për Operacione` i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, të cilën e ka njoftuar për dislokimin e trupave serbe përreth kufirit me Kosovën.

Maqedonci ka njoftuar se  gjatë këtij takimi e ka njoftuar Viehen me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen.

“Theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, ka deklaruar Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, tha se do të vazhdojnë me përkushtim të koordinohen dhe të bashkëpunojnë ngushtë si ministri me KFOR-in dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

“Ritheksova faktin se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”, tha ai.

Sipas tij trajnimet e përbashkëta me forcat aleate, ngritja e kapaciteteve të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim, investimet në personel e pajisje janë hapat që kanë ndërmarr në përmbushjen e synimeve.

Bëhet e ditur se Viehe shprehu vlerësim të lartë për profesionalizmin e treguar nga ana e Policisë së Kosovës në menaxhimin e sulmit të 24 shtatorit, e po ashtu theksoi se NATO ka rikonfimuar mbështetjen për KFOR-in dhe Kosovën.


MË SHUME NGA Lajme