Prishtina me projektin më të madh rajonal të ngrohjes
BKT
Lajme

Prishtina me projektin më të madh rajonal të ngrohjes

E.Hoti/RTKlive

Është nënshkruar marrëveshja e nën-huazimit dhe nën-grantit për projektin e Ngrohtores Solare në Prishtinë në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ngrohtores së Qytetit Termokos.

Për këtë marrëveshje në lajmet e fundit në RTK foli kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit“, Fisnik Osmani, i cili tha se kjo marrëveshje praktikisht i hap rrugë edhe fillimit të implementimit të projektit më të madh në rajon.

“Sot në emër të “Termokosit” kemi nënshkruar Marrëveshjen me Ministrinë e Financave, respektivisht me ministrin Hekuran Murtati, e cila praktikisht i hap rrugë edhe fillimit të implementimit të projektit më të madh në rajon, i dyti në Evropë, e më i madhi dhe i vetmi në Kosovë, projektit Solar për Kosovën, i cili do të ofrojë mundësi të përfitimit të shërbimeve të ngrohjes nga “Termokosi” për 12 mijë njësi të banimit, apo diku rreth 33 mijë qytetarë të Komunës së Prishtinës të shtrirë në dy zona të kryeqytetit, Lagjen “Tophane” dhe Lagjen “Arbëria 2” dhe “Arbëria 3””, deklaroi Osmani.

Projekti përfshinë ndërtimin e impiantit solar, i cili do të shtrihet diku në 69 mijë metra katrorë panele solare, tha ai.

Projekti, sipas tij, do të ofrojë 50 megavat energji termike dhe si i tillë do të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të Prishtinës me ngrohje termike.

“Është lajm i mirë për qytetin për shkak se Prishtina po futet në agjendën e gjelbër të energjisë. Jemi institucioni i parë i cili ka filluar një implementim të këtij projekti dhe natyrshëm na duhet përkrahje të cilën po e marrim edhe nga Komuna e Prishtinës për ta implementuar këtë projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili në vlerë kapitale do të tejkaloi vlerën prej 80 milionë eurosh. Tani ne jemi në fazën administrative të projektit dhe presim që fundin e vitit të ardhshëm të filloj implementimi i tij në teren”, deklaroi ai.


MË SHUME NGA Lajme