Pajtohen se duhet ndërhyrje në tekstet shkollore
Qendresa Duraku/RTK
Ndërhyrje në tekstet shkollore po kërkohet nga mësimdhënësit dhe nga ekspertët e arsimit.
Me këtë qëndrim u pajtua edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pasi sipas tyre, sivjet këto tekste shkollore janë përcjellë me probleme në aspektin përmbajtjesor e teknik.
Zarife Bajgora Godanci, mësimdhënëse në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, thotë se edhe në të kaluarën ka pasur intervenime në përmirësimin e teksteve, por që nuk ka qenë i mjaftueshëm.
"Kemi disa shtëpi botuese që janë më të thata tekstet të cilat i kanë përgatitur për mësim. Por kemi edhe disa që janë më të furnizuara. Mirëpo me kalimin e kohës ka qenë një intervenim për përmisimin e tyre, nuk është i mjaftueshëm", tha Zarife Bajgora Godanci, mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe, raporton RTKlive.
Se tekstet shkollore ndër vite janë përcjellë me sfida dhe probleme të shumta, përfshirë aspektin përmbajtjesor dhe atë teknik, e tha edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
"Analiza e teksteve shkollore ka zbuluar apo ka dëshmuar se shumica e njësive mësimore ofrojnë një mësim të dekontekstualizuar dhe mjaftë teorik dhe rekomandimet na qojnë i përmirësimeve jo vetëm të rezulateve por do të ndihmojnë edhe në zhvillimin e të menduarit kritik dhe krijues duke rritur interesimin për të mësuar lëndën të cilat janë tejet të rëndësishme", tha Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit.
“Përkushtimi për rishikimin e teksteve nga mësimdhënësit dhe ekspertët për tekstet shkollore ka qenë me rëndësi nga Zyra e Bashkimit Evropian, e cila ka qenë në krye të rishikimit të teksteve. Edhe pse e kemi ditur që ky proces do të kërkojë resurse dhe punë të madhe, e kemi filluar këtë proces. Faza tjetër do të jetë vitin tjetër dhe do të ketë një rëndësi të madhe për gjithë nxënësit”, tha Alex De Roquefeuil, udhëheqës i ekipit të projektit, KosEd.
Prezantimi i gjetjeve u bë nga ekspertët, me ç'rast tha se qëllimi kryesor i gjetjeve është përmirësimi i cilësisë së teksteve shkollore.
“Faza e parë e rishikimit të teksteve shkollore është bërë në lëndën e gjuhës shqipe dhe matematikës nga klasa e 1-9. Arsyeja që kemi zgjedhur këto dy lëndë ka qenë fatkeqësisht në rezultatet në performacën e ulët në këto dy lëndë nga nxënësit e Kosovës në testin Pisa dhe TIMS" , tha Florence Mihaela Singer, eksperte.
Në fund të prezantimit, ekipeve të ekspertëve të rishikimit të teksteve shkollore iu dorëzuan edhe certifikatat.























