Hap dyert ekspozita e pikturës “Dheu pas shiut“ e Luljeta Rama Muçajt
BKT
Kulturë

Hap dyert ekspozita e pikturës “Dheu pas shiut“ e Luljeta Rama Muçajt

M.Sh/RTKlive

Në ambientet e Muzeut Kombëtar me 20 dhjetor është hapur ekspozita solo e pikturës “Dheu pas shiut“, të cilën e ka prezantuar artistja Luljeta Rama Muçaj.

Në ekspozitë u prezantuan tridhjetë punime dhe dy instalacione, të cilat e përfaqësojnë tokën dhe ujin.

Të ftuarit patën rastin të shijojnë veprat artistike, të punuara me kujdes dhe dashuri nga autorja, sikur edhe të shijojnë mikpritjen e ngrohtë dhe prezantimin dinjitoz të saj.

Kuratori i kësaj ekspozite Fatmir Juka shprehet se pikturat e autores Rama-Muçaj duket sikur janë pikturuar me sytë mbyllur, sepse kanë një ndjenjë të fortë natyshmërie.

“Duket sikur Luljeta i ka pikturuar me sytë mbyllur. Ato vinë para nesh pa na marrë leje…, sepse kanë një ndjenjë të fortë natyrshmërie dhe natyra përgjithësisht nuk kërkon leje. Origjina e elementit natyror ne krijimtarinë e saj nuk është një shkarje...Ajo është një poezi me nota romantike që karakterizon veprën e Luljetës. Shumë nga veprat e saj janë krijesa të shiut....Një martesë meandresh prej rrjedhash e thellimesh. Ajo ia beson masën krijuese, "argjilën" e saj, shiut, duke e çuar veprën në kufijtë e një rendi jo kaq tokësor ...Ajo ka besim te elementi purifikues. Pamja finale e veprës pritet të jetë diçka fluidiale...fëmijë e rrjedhës me kromatura ujëvarash. E vërteta për Luljetën nuk është diçka që miklohet vetëm nga piklat e shiut....e Vërteta është diçka më bindëse...Pjesë e një procesi të ndërgjegjshëm kërkimor“, është shprehur kuratori.

Palafitin e vet Luljeta, sipas Jukajt, e ngre me sende përtej të zakonshmes deri në spazmën e revoltës.“Në tezgjahun shekullor femëror na tregon për të vërtetat e veta, të cilat paraprakisht i ka konsumuar bashkë me ne, si të përditshëm… .Elementet e konsumit bëhen të qartë me arsyen e përdorimit dhe mesazhin që na përcjellin, prandaj familjarizohet në çdo rast përdorimi i tyre, fundja çka jemi ne?! -Bij të kohës konsumiste… E gjithë kjo masë tregon që Luljeta ka respekt për procesin e krijimit dhe e njeh atë në intimitetin që ka dhe nuk heziton aspak të na e tregojë këtë“, shton ndër të tjera kuratori Juka.

Ekspozita mbetet e hapur deri me 27 dhjetor.


MË SHUME NGA Kulturë