Rrustemi: Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje
BKT
Foto: Edona Podvorica
Lajme

Rrustemi: Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje

Edona Podvorica/RTK

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në një konferencë për media, ka folur sot për punën e Kuvendit të Kosovës për vitin 2023.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se legjislatura e tanishme është ndër legjislaturat me të sukseshme që ka pasur ndonjëherë vendi.

Kusari-Lila tha se gjatë këtij viti në Kuvendin e Kosovës janë miratuar 71 ligje. Ajo me këtë rast përmendi edhe ligjet kryesore që janë miratuar gjatë këtij viti.

“Me kënaqësi mund të ju them se deri tani, në më pak se tri vite jemi legjislatura me e suksesshme në Kosovë. Kuvendi i Kosovës ka mbajtur 52 seanca plenare, janë miratuar 71 ligji përkundër sfidave kemi arritur që të hyjmë në reformë përmbajtësore”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërsa deputeti i VV-së Adnan Rrustemi, ka thënë se përkundër sfidave që janë përballur, Kuvendi ka arritur që të shtyjë përpara ligje të ndryshme.

“Përkundër çdo sfide dhe vështirësive që jemi përballur edhe si vend edhe si Kuvend, GP i VV-së ka arritur që të shtyjë përpara ligje të ndryshme. Ligji për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë, Ligji për Prokurorin e Shtetit, Ligjin për Institutin për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës. Në sesionin vjeshtor kemi miratuar 27 ligje dhe 5 marrëveshje ndërkombëtare. Është legjislatura me e suksesshme. Janë në procedurë edhe 45 ligje”, tha Rrustemi.

Lidhur me sondazhin e fundit, Rrustemi ka thënë se VV-ja angazhohet në aktivizëm qytetarë, komunikim të rregullt me struktura, ndërsa qeveria në përmbushjen e programit qeverisë.

“Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme, edhe nga vlerësimi i opinionit, edhe nga puna që kemi bërë, për zgjedhje dhe jemi te bindur që rezultati do të jetë edhe më i lartë se në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë Rrustemi.


MË SHUME NGA Lajme