Ka vdekur Dick Marty
M. P./RTKlive
Ka vdekur në moshën 78 vjeçare ish-senatori dhe prokurori zviceran, Dick Marty. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta zvicerano-italiane “Corriere del Ticino”.
Ai njihet për raportin e tij për Kosovën në vitin 2011, ku si hetues special i Këshillit të Evropës, pretendonte se krerët e UÇK-së kanë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë, specifikisht trafikim të dyshuar të organeve.
E si pasojë e raportit të tij u themeluan Dhomat e Specializuara në Hagë nga Kuvendi i Kosovës disa vjet më vonë, ku po gjykohen ish-eprorët e UÇK-së për akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Kohë më parë, Marty në një intervistë për mediat zvicrane pati thënë se shërbimet sekrete serbe janë duke ofruar para për ta vrarë, e më pas për t’ua lënë fajin shqiptarëve.
Dick Marty u zgjodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999 dhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut nga viti 2005 deri në 2008. Ai doli në pension në vitin 2011.























