Arifi: Zbatimi i marrëveshjes varet nga serioziteti dhe fuqia e BE-së
BKT
Lajme

Arifi: Zbatimi i marrëveshjes varet nga serioziteti dhe fuqia e BE-së

B. H. | RTKlive

Analisti politik Dritëro Arifi ka thënë se zbatimi i aneksit të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë varet shumë se sa serioz dhe i fuqishëm do të jetë Bashkimi Evropian për t’ua imponuar një gjë të tillë palëve.

Ai e ka vlerësuar si pozitive njohjen e targave nga ana e të dyja vendeve, por thotë se nuk ka vullnet nga asnjëra palë, e sidomos ajo serbe për të zbatuar në tërësi marrëveshjen evropiane dhe marrëveshjen e aneksit të arritur në Ohër.

“Në fazën e parë ka disa avancime, siç është njohja e targave nga të dyja palët, por po vërehet se nuk ka vullnet të madh për ta zbatuar Marrëveshjen Evropiane dhe aneksin e Ohrit. Mendoj se në muajt e ardhshëm do të varet nga Bashkimi Evropian se sa serioz dhe i fuqishëm do të jetë për ta imponuar zbatimin e marrëveshjes. Pra, varet  çfarë karrota dhe  çfarë shkopi jep BE-ja. Nëse shkopi dhe karrota kanë një peshë të madhe, palët do të detyrohen të zbatojnë marrëveshjen, e jo që kanë dëshirë”, ka theksuar Arifi në një intervistë për RTK-në.

Ai ka thënë se Serbia është palë destruktive në dialog, por sipas tij edhe Kosova duhet të jetë më e vëmendshme, sepse marrëveshja me Serbinë sipas tij është një udhërrëfyes drejt BE-së. Arifi ka folur edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e që sipas tij një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë pa shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk besoj që pala kosovare do ta zbatojë Asociacionin në tre muajt e ardhshëm. Edhe nëse bëhet diçka në këtë drejtim draftstatuti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe për shkak të peshës që e ka ky nen i marrëveshjes – pra Asociacioni, edhe mund të kemi zgjedhje të parakohshme sepse as partitë në pushtet e as ato në opozitë nuk po duan ta marrin barrën për ta zbatuar një gjë të tillë”, ka shtuar Arifi.

Ai ka thënë se zgjedhjet do të mbahen vetëm me vullnetin e Lëvizjes Vetëvendosje sepse sipas tij për këtë subjekt politik do të jetë jetike në një farë mënyrë kapërcimi i këtij problemi. “... e kapërcimi i këtij problemi nuk bëhet pa një proces të ri zgjedhor. Nëse e merr bekimin e qytetarëve atëherë edhe mund ta zbatojë sepse të gjithë do ta dinë për çfarë do të bëhen ato zgjedhje”, ka nënvizuar Arifi.

Sa i përket zgjedhjeve në katër komunat veriore, ku aktualisht janë duke qeverisur kryetarët shqiptarë, Arifi ka thënë se vetëm përmes një marrëveshje me Serbinë mund të kemi zgjedhje të qeta dhe normale atje.

“Në  çdo opsion tjetër nuk do të kemi zgjedhje normale. Në interesin tonë është të kemi marrëveshje për të bërë zgjedhje, në interesin e Serbisë është që të mos ketë marrëveshje dhe rrjedhimisht të mos ketë zgjedhje dhe të lihet një pikë e zezë mbi Kosovën se nuk është e aftë për të menaxhuar”, është shprehur ai.

Arifi e ka vlerësuar njohjen e pasaportave nga ana e Spanjës si një hap të rëndësishëm për vendin tonë, teksa ka thënë se nuk ka rëndësi se meritë e kujt është një gjë e tillë.

“Është një hap i mirë që në të ardhmen mund të kemi lëvizje të tjera sa i përket integrimit apo anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin e Paqes, që të paktën Spanja të abstenojë. Kosova këtu mund të bëjë shumë pak, pasi kjo varet nga BE dhe SHBA”, ka përfunduar Arifi.


MË SHUME NGA Lajme