Murtezaj e quan të pavërtetë deklaratën e Bislimit, i jep merita Mustafës
BKT
Lajme

Murtezaj e quan të pavërtetë deklaratën e Bislimit, i jep merita Mustafës

B. H. | RTKlive

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murtezaj, ish-këshilltar i ish-kryeministrit Isa Mustafa, e ka vlerësuar të pavërtetë deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili ditë më parë në "RTK Prime" theksoi se nuk është meritë e ish-kryeministrit Mustafa fakti që statuti i Asociacionit do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Është meritë ekskluzive e kryeministrit Isa Mustafa përfshirja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në dokumentin e parimeve. Ta kemi parasysh një fakt, Gjykatë Kushtetuese kanë shtetet. Është meritë e kryeministrit Mustafa dhe arritjeve të asaj kohe letra e Mogherinit. Pra, është meritë e negociatave të asaj kohe heqja e administratës, si dimension i kompetencës ekzekutive brenda për brenda shërbyesve civilë, punonjësve shtetëror nga Asociacioni, pastaj largimi i kompetencës për të ndryshuar statutin e Asociacionit si fuqi që është kërkuar fillimisht që t’i alokohet Kuvendit të Asociacionit. Të gjitha këto janë merita dhe kushdoqoftë që do t’i arrinte unë do t’i thosha se janë meritë e Kosovës”, ka theksuar Murtezaj në “RTK Prime”.

Ai e ka vlerësuar situatën në dialog kaotike, derisa ka thënë se defekti kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me dialogun ka qenë mbyllja apo mostransparenca ekstreme.

“Unë vij nga fusha e diplomacisë dhe e mirëkuptoj një dozë të konfidencialidetit sepse është dimension i implementimit të strategjisë tuaj negociatore, por kjo mbyllje hermetike, kjo punë në grupe shumë të ngushta dhe mund të them edhe me njerëz pa përvojë, e rrit potencialin për të bërë koncesione në momente të caktuara”, ka shtuar Murtezaj.

Ai e ka vlerësuar njohjen e pasaportave të Kosovës nga Spanja si një hap përpara në relacionet ndërmjet dy shteteve.

“Nga ajo  çfarë kam kuptuar në vitet e fundit, qoftë nga aspekti profesional por edhe nga aspekti i komunikimeve të tjera me zyrtarë apo qytetarë të thjeshtë të Spanjës, ky shtet ka qenë vendi më rixhid në kuadër të vendeve të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën sepse po thuajse nuk ka bërë asnjë lëvizje në raport me thellimin e marrëdhënieve eventuale. Frika vjen nga situata të ndryshme e lëvizjeve secesioniste brenda Spanjës. Por, natyrisht nëse i shikojmë gjërat pa frikë nga këndvështrimi spanjoll, Kosova dhe këto lëvizje nuk kanë asgjë të përbashkët”, ka theksuar Murtezaj.

Por, edhe pse këtë vendim të autoriteteve spanjolle e konsideron si një gjest të mirë, ai thotë se nuk priten ndryshime të mëdha.

“Por që nga ky vit pres që BE kolektivisht, duke përfshirë edhe pesë vendet mosnjohëse të ketë një qasje më ndryshme për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, veçmas si pasojë e agresionit rus në Ukrainë”, ka shtuar Murtezaj.

Ai e ka vlerësuar si steorotip faktin që në opinionin e Kosovës Franca shihet si shtet që favorizon Serbinë. Ai ka thënë se Franca që nga vitet e 90-ta, veçmas në periudhën e presidentit Jacques Chirac, ka mbështetur Kosovën, teksa ka përmendur faktin që Franca ka qenë pro Kosovë në çdo hap, duke e njohur menjëherë pavarësinë e saj.

Megjithatë, ai ka thënë se është normale që Serbia si shtet që ekziston që më shumë se 100 vjet të ketë marrëdhënie më afatgjata, por se Kosova duhet të kultivojë marrëdhënie me Francën.

“Franca është shtet kyç në çdo vendimmarrje në BE. Prandaj komunikimi efektiv dhe i sinqertë me francezët, gjermanët dhe të gjitha shtetet kryesore të BE-së është parakusht për të pasur sukses në  çfarëdolloj iniciative diplomatike”, ka theksuar Murtezaj.

Ai tutje ka thënë se vëmendja e Qeverisë në këtë vit duhet të jetë te njohjet e reja dhe thellimi i marrëdhënieve me shtetet që na kanë njohur.

Sa i përket masave të BE-së ndaj Kosovës ai ka thënë se “nuk ka asnjë mirëkuptim për BE-në pse nuk i heq sanksionet ndaj Kosovës”, aq më parë se nuk ka sanksione ndaj Serbisë. 


MË SHUME NGA Lajme