Hill: Kemi pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank
BKT
Lajme

Hill: Kemi pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank

Anamari Repic | RTK

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar se SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”. Një gjë e tillë është bërë e ditur pas takimit që ambasadori Hill ka zhvilluar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, ka njoftuar sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për vendimin amerikan për të pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javalin”.

Siç tha ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do t'ia dërgojë kërkesën Kongresit Amerikan, i cili pastaj fillon procedurën zyrtare, njofton Zyra e Presidentit të Serbisë.

Sipas njoftimit, presidenti Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se “Serbia së bashku me SHBA-në do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane”.

“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb.

Ndryshe, sipas njoftimit, Vuçiq dhe Hill diskutuan edhe për “situatën në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut, zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike serbo-amerikane”.

Gjithnjë sipas njoftimit të presidencës serbe, Vuçiq theksoi se Serbia është e interesuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në në të gjitha nivelet dhe se pret rritje të investimeve amerikane. Ai theksoi se është e nevojshme që “Serbia të vazhdojë punën për forcimin jo vetëm të infrastrukturës rrugore, por edhe të energjetikës”, dhe paralajmëroi se së shpejti pritet të nënshkruhen kontrata të rëndësishme ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së për zhvillimin e infrastrukturës.

“Marrëdhëniet e mira ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së ndikuan edhe në krijimin e një fushe të përshtatshme për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”, theksohet në njoftimin e Presidencës së Serbisë.


MË SHUME NGA Lajme