Kadriaj: Qeveria e bleu paqen sociale me nga 100 euro
F.S / RTKlive
Time Kadriaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thëne se këtë sesion të Kuvendit të Kosovës e nisën pikërisht me një shqetësim të qytetarëve që është çmimi i energjisë.
E ftuar në ‘Info Plus’ të RTK-së, Kadriaj tha se ka ndodhur e kundërta e asaj që kishin premtuar ata që sot janë në pushtet, kur kishin premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike.
“Ne si deputet e kemi për obligim t’i ngritim shqetësimet e qytetarëve, dhe u pa se janë befasuar të gjithë qytetarët me këto tarifa të ngritura jashtë mase. Qeveria duke e ditur rritjen enorme 100 % të energjisë elektrike, u mundua ta blej paqen sociale duke shpërndarë para Vitit të Ri nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët në mënyrë që të kaloj në heshtje e gjithë rritja e energjisë”, tha Kadriaj.
Megjithatë, ajo tha se qytetarët reaguan për ngritjen e tarifave në fatura, ata i kanë krahasuar faturat me vitin paraprak dhe e kanë parë që çmimi është trefishuar.
Kjo Qeveri, sipas Kadriajt, e ka rritur varësinë energjetike dhe ka ngritur në qiell çmimet dhe krizën sociale dhe ekonomike.
“Kur ishin në opozitë, dolën kundër çdo investimi ndërkombëtar energjetik. Asokohe doli kundër projekteve të linjitit ashtu edhe kundër projektit energjetik amerikan me gaz. Qëllimi i tij nuk ishte mirëqenia por lufta për pushtet”, tha ajo.
Ajo tha se për 3 vjet qeverisjes, rryma është rritur 2 herë, me gjithat kjo Qeveri nuk e pranon një gjë të tillë.
Ky kryeministër, sipas saj, nuk e ka problem që me përhapjen e krizës sociale, të jetë në krye të qeverisë e cila po e zbrazë Kosovën.























