Osmani në takimin me Dvorak kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
N.M. /RTKlive
(E plotësuar, 12:51) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak.
Bëhet e ditur se në fokus të diskutimit ndërmjet presidentes Osmani dhe ministrit Dvoraak, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal, raporton Ekonomia Online.
“Presidentja Osmani, nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Tutje, Osmani i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, thuhet se Presidentja Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin si dhe nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.
Gjithashtu,presidentja Osmani theksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.
Presidentja Osmani priti në takim ministrin çek, Martin Dvorak

Visar Shatrolli /RTK
(E plotësuar, 09:21) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak.
Pas presidentes, ministri çek Dvorak do të pritet edhe nga kryeministri i Republikës, Albin Kurti, si dhe nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Së bashku me Bislimin ministri për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák, do mbajnë një konferencë për media.

Ministri çek takohet sot me Osmanin, Kurtin e Bislimin
N. M. /RTKlive
Ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Martin Dvorak, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.
Ministri Dvorak do të pritet në takime të ndara nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Pas takimit ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Martin Dvorak dhe zëvendëskryeministri Bislimi do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.























