Kurti: Prioritet anëtarësimi i plotë në Këshillin e Evropës|Video
Edona Podvorica/RTK & RTKlive
(E plotësuar, 13:49) Kryeministri Kurti, në fillim të mbledhjes, para së të fillojë me diskutimin e pikave të rendit të ditës, shpalosi planet e qeverisë për vitin 2024.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, tha se duke qenë se Kosova ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, anëtarësimi i plotë në këtë organizatë mbetet prej synimeve kryesore të politikës së jashtme, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për këtë vit.
“Ndërkohë që do të vazhdojë blerja e ndërtesave të reja për misionet tona diplomatike, krahas planifikimit për miratimin e tre ligjeve shumë të rëndësishme: i pari ligji për Diasporën; i dyti ligji për Protokollin e Shtetit; dhe i treti ligji për Shërbimin e Jashtëm, si dhe rekrutimit të diplomatëve të rinj për fuqizimin e diplomacisë sonë anë e mbanë globit”, tha ai.
Sipas tij, viti 2024 ka filluar si është më së miri.
“Pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, njohjes së pasaportës nga Spanja, e dekretit për hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan, dje morëm edhe njoftimin zyrtar se nga 22 shkurti qytetarët tanë do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Kurti.
Të gjitha këto, sipas tij, forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, që, përveç se prioritet i këtij viti, ka qenë dhe është prioritet programor i politikës së jashtme.
Kurti: Vetingu po merr rrugë, ky proces është domosdoshmëri

(E plotësuar) Kryeministri Kurti, në fillim të mbledhjes, para së të fillojë me diskutimin e pikave të rendit të ditës, shpalosi planet e qeverisë për vitin 2024.
Kurti tha se qeveria do të vazhdojë me reforma pensionale, me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe drejtësisë. Ai tha se reforma do të vazhdojë edhe në drejtësi. “Vetingu po merr rrugë, ky proces është domosdoshmëri”,tha Kurti.
“Gjatë këtij viti do të vazhdojë adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës. Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të fokusohet në luftimin e dhunës në familje”, tha Kurti.
Ai shtoi se prioritet mbetet edhe zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Për bujqit kemi ndarë buxhetin më të lartë,në fillim te muajit kemi shpalosur programin për pagesa direkte”, tha Kurti.
Ai ka përmendur edhe lojërat mesdhetare që do të organizohen në Kosovë. “Gjatë këtij viti do të punohet në një ligj të veçantë, do të themelohet komiteti organizativ dhe master plani për të pritur shtetet pjesëmarrëse në këto lojëra”, tha Kurti.
"Anëtarësimi i plotë në Këshillin e Evropës mbetet prioritet kryesor, ndërkohë do të vazhdojmë të blejmë objektet për vendosjen e ambasadave tona nëpër botë", bëri me dije i pari i qeverisë.
Arsimi do të mbetet po ashtu prioritet tha kryeministri. “Rritja në qasje në arsim në fëmijërinë e hershme, si dhe digjitalizimi i shkollave janë fokusi kryesor në arsim”.
Kurti ka folur edhe për projektet infrastrukturore. “Viti 2024 do të jetë vit i fillimit të disa projekteve të reja dhe vit i përfundimit të disa projekteve në zhvillim”.
Shqiptarëve të Luginës u mundësohet blerja e pronës në Kosovë
Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj, i cili do t'u mundësojë shqiptarëve të Luginës së Preshevës të blejnë prona në Kosovë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me këtë projekt-ligj shqiptarët e Luginës do të përjashtohen nga kufizimet për shtetasit e huaj që të jenë titullar të të drejtave pronësore.
“Duke pasur parasysh rrethanat dhe mungesën e raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, qytetarët e komunitetit shqiptarë në Luginë me dispozitat aktuale në fuqi të Ligjit bazik u bëhet e pamundur fitimi i të drejtës pronësore, pra bëhet e pamundur mundësia e blerjes së pronave në Kosovë, për shkak të mungesës së reciprocitetit”, tha ajo.
Prandaj ajo ka thënë se kanë ndërmarrë iniciativë ligjore për plotësim-ndryshim të ligjit bazik e ku qytetarët e komunitetit shqiptar nga Lugina do të përjashtohen nga kufizimet e reciprocitetit dhe mund të jenë titullar të të drejtave pronësore në Kosovë sipas kushteve të përcaktuara me ligjin bazik”.
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj do të kalojë për votim në Kuvend, para se të hyjë në fuqi.























