Gashi: Familja dyshon për tentativë për zbutjen e rastit
F.S / RTKlive
Avokati Tomë Gashi pasi ka pranuar zyrtarisht kërkesën e familjarëve të Lulzim Fejzullahut për ta përfaqësuar lëndën e vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë i ftuar në “Lajmet e Fundit” në RTK tha se përfaqësimi i këtyre rasteve është më kompleks se sa duket.
Kjo, siç tha Gashi, sepse familja ka dyshime eventuale të keqpërdorimeve që kanë mundur të ndodhin gjatë kësaj procedure.
“Për shkak se situata është tepër e rëndë dhe ata (Familja) mendojnë se mos ka manipulim me prova apo tentativë për zbutjen e rastit”, tha Gashi duke shtuar se me të marr autorizimin nga familja menjëherë ka dorëzuar autorizimin në Prokurori, Gjykate dhe Inspektoratin Policorë të Kosovës.
"Dorëzimi në IPK është bërë për faktin se është e nevojshme të shihet se oficerët e policisë sonë a e kanë kryer punën si duhet në bazë të rregullave dhe ligjit dhe nëse kanë bërë keqpërdorime të mundshme gjatë kësaj procedure, sepse situata siç e përshkruajnë familjarët ishte tepër e rëndë”, tha Gashi.
Tutje, ai tha se familjarët thonë se tashmë i ndjeri Lulzimi ka mbetur më shumë se një orë i shtrirë pas sulmit të bërë nga moshatarët e të ndjeri.
“Familja ankohet se nuk ka pasur intervenim të menjëhershëm, por se IPK si institucion kredibil po shpresoj që së shpejti do të dal me një raport dhe të shihet së këto që thonë familjaret a janë vetëm supozime apo vërtetë kanë ndodhur”, tha avokati Gashi.
Ai ka thënë se tashmë nuk është normale që të komentohen provat të cilat janë në këtë çështje penale, porse tashmë është vetëm fillimi sepse ngjarja ka ndodhur me 14 janar.
Ndryshe, avokati Tomë Gashi e ka pranuar zyrtarisht kërkesën e familjarëve të Lulzim Fejzullahut për ta përfaqësuar lëndën e vrasjes së 18-vjeçarit.
Dhe se më të marrë autorizimin për këtë çështje, Gashi e ka dorëzuar autorizimin e tij në Prokurori, Gjykatë dhe IPK dhe ka kërkuar përgjigje nga këto institucione lidhur me shkresat e lëndës.























