Haradinaj: Dinari i jashtëligjshëm, por mund të tregojmë fleksibilitet
B. H. | RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj e cilëson të drejtë vendimin e Bankës Qendrore për të hequr nga përdorimi dinarin, në zonat e banuara me shumicë serbe.
Ai thotë se dinari është i jashtëligjshëm e se Kosova, e ka detyrim të zbatojë një ligj në vend. Megjithatë Haradinaj shton se Kosova mund të tregojë fleksibilitet mbi këtë çështje, për një periudhë kohore të caktuar.
“Besoj se çështja e dinarit të Serbisë në Kosovë, nuk është ligjore, përdorimi i kësaj monedhe dhe mendoj që Banka Qendrore ka ndërmarrë veprimin e duhur. Në rast se ka vështirësi praktike në zbatim ia vlen një fleksibilitet në kohë, si dhe të mundësohet për shembull konvertimi i dinarëve, apo të hyrave ekzistuese. Mirëpo nuk mund të jetë një praktikë e vazhdueshme, nuk mund të vazhdojë financimi i serbëve të Kosovës nga Serbia në dinarë, pasi dinari nuk është valutë e Kosovës”, ka theksuar Haradinaj.
Sa i përket trysnisë së Perëndimit ndaj kësaj çështje kreu i AAK-së ka thënë se “dinari është i jashtëligjshëm në Kosovë”.
“Pra Kosova e ka obligim të zbatojë një ligj në Kosovë, pra një rregull monetar dhe nuk mundet të bëjë toleranca ndryshe atëherë do të mundeshin të operonin monedha të tjera, valuta të tjera, pra nuk do të kishte rregull në treg. Vendimi është ligjor, mirëpo në rast të praktikave të zbatimit, Kosova mundet të tregojë fleksibilitetet kohor në zbatim në mënyrë që të eliminohen ato pengesat e para që kanë dalë në praktikë”, ka shtuar Haradinaj.























