Çollaku:Vendim i BQK-së mund të keqpërdoret, të dëgjohen miqtë ndërkombëtar
BKT
Lajme

Çollaku:Vendim i BQK-së mund të keqpërdoret, të dëgjohen miqtë ndërkombëtar

E. H / RTKlive

Profesori, Fatmir Çollaku i ftuar në “Info Plus “ të RTK-së ka folur për vendimin e BQK-së për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë, i cili sot ka hyrë në fuqi, si dhe për sigurinë në vend.

Çollaku ka theksuar se fusha e sigurisë është tejet delikate sepse çdo ngjarje dhe zhvillim shoqëror, ekonomik dhe sportiv mund ta atakojnë sigurinë në kuptimin e përkeqësimit të situatës dhe shtimit të agresivitetit, apo të qojnë në përshkallëzim.

“Në rastin konkret kjo masë e Bankës Qendrore që ka të bëjë ekskluzivisht me fushën  ekonomike për ndalimin e dinarit si mjet pagese në Republikën e Kosovës në kuptimin e autonomisë vendimmarrëse të institucionit është kushtetuese. Këtë e kanë konfirmuar edhe shumë ekonomistë që e njohin këtë fushë”, ka thënë ai.

Por, sipas tij, ka zëra nga miqtë ndërkombëtarë dhe nga SHBA-të që duhet të ndryshohet ose prolongohet zbatimi i këtij vendimi. 

“Nëse e shtrojmë çështjen e vendimmarrjes ose zgjedhjes se cilin opsion ta zgjedhim, unë jam për kompromis dhe për dëgjimin e miqve ndërkombëtarë pikërisht se kjo masë ekonomike mund të ndikojë dhe interferojë në zgjimin e pakënaqësisë së madhe të qytetarëve, e cila nuk mund të jetë reale sesa e instrumentalizuar. Edhe ky vendim i BQK-së mund të keqpërdoret, të keqkuptohet dhe të keqinterpretohet nga Serbia me qëllim të një nxitje të një pakënaqësie të nivelit të lartë, e cila pa mëdyshje mund të interferojë në sferën e sigurisë”, ka deklaruar Çollaku.

Sipas tij, performanca e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vendosmëria për të ushtruar juridiksion në pjesën veriore tregon një hap pozitiv.

“Strukturave paralele dhe të gjithë të tjerëve që mbështesin ato ju dha një mesazh se Kosova me të gjitha kapacitetet institucionale do të ushtrojë pushtet në atë pjesë dhe po e ushtron në një masë më të avancuar se të gjitha qeveritë tjera deri tani. Natyrisht kjo po e zemëron Serbinë dhe po e shohin me një sy tjetër çdo organizim atje”, ka deklaruar Çollaku.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës javë më parë ka publikuar Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, përmes së cilës bëhet e ditur se ndalohet ri-qarkullimi i kartëmonedhës 500 euro-she dhe se e valuta e vetme zyrtare në Kosovë është euro.

Saktësisht thuhet se valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave (SNP/KIPS) në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Kjo rregullore ka hyrë sot në fuqi.


MË SHUME NGA Lajme