Ramosaj: BQK-ja po mundohet të ndërtoj një sistem unik financiar|Video
F.S / RTKlive
Profesori universitar, Berim Ramosaj duke e komentuar ndalimin e dinarit nga BQK-ja, në “RTK Prime” të RTK-së, tha se vendimi i BQK-së do të duhej të ishte jo politik dhe institucional në një vend demokratik, ngase siç tha ai, me këtë vendim BQK po mundohet t’i luftoj dukuritë negative dhe të ndërtoj një sistem unik financiar të pagesave.
“Në një shtet normal që nuk ka problem qoftë të sovranitetit qoftë të shtet ndërtimit, por është i konsoliduar, pa dyshim që një vendim i BQK-së, do të duhej të ishte vërtet jo politik dhe institucional, që padyshim mundohet t’i luftoj dukuritë negative dhe të ndërtoj një sistem financiar unik të pagesave që secili shtet e ka”, tha Ramosaj.
Tutje, tha ai, se gjendja aktuale e Kosovës si shtet krahasuar me vendet përreth, ka çështje të pazgjidhura të cilat siç tha ai tentohet të zgjidhen me dialog.
“Duke e marrë parasysh situatën në të cilën gjendët Kosova, pra jemi një vend shumë i veçantë në raport me vendet e tjera që disa çështje janë të pazgjidhura dhe që tentohet të zgjidhen me dialog”, tha Ramosaj.
Ai po ashtu tha se çdo vendim që merret sa do që është sovran në një mjedis që është turbulent, del që është një vendim i cili mund të provokoj situata të padëshirueshme në kuptimin e marrëdhënieve qoftë gjeostrategjike qoftë të sigurisë e më së paku ato ekonomike.

Luzha: LVV kishte premtuar ndryshim, atë po e bënë
Analistja Besa Luzha rreth ndalimit të dinarit nga BQK-ja tha se në qeveritë e kaluara ka pasur një tolerancë më të madhe duke u arsyetuar në koordinim dhe bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.
“Duke i llogaritur këto si shtet, gjithnjë kemi qenë në defansivë. Pra nuk duhet të harrojmë se LVV ka ardhur në pushtet dhe ka premtuar që në këtë pikëpamje do të ndryshoj nga qeveritë e përparme dhe do ta ketë një qasje pro-aktive dhe këtë është duke e bërë”, tha Luzha.
Ajo tha se gjatë kësaj qeverisje ka pasur vendime që janë dukur ‘Ad-Hoc’, porse kjo është premtuar dhe po bëhet shtrirja e sovranitetit në çdo cep të Kosovës.

Koci: Fajtor për shkaktim të kësaj krize është BE-ja
Në anën tjetër politologu Melazim Koci tha se me ndalimin e dinarit nga BQK-ja, Beogradi po e krijon një problem artificialisht dhe të krijojnë një krizë humanitare artificiale. Madje sipas tij, kësaj krize i ka ndihmuar edhe reagimi i Bashkimit Evropian, ku thuhet se kjo çështje duhet të diskutohet në bisedimet Kosovë-Serbi.
“Vendimi i BQK-së është krejtësisht legjitim, i drejt dhe qëlluar, porse aspekti kohor është i diskutueshëm dhe duhet diskutuar”, tha Koci.
Sipas tij, shkaktimin e kësaj krize me çështjen e ndalimit të dinarit e ka bërë Bashkimi Evropian.
“Fajtorët tjerë që i konsideroj të shkaktimi të kësaj krize është Bashkimi Evropian. Pse e them këtë sepse reagimet e SHBA dhe BE nuk kanë qenë identike. Në reagimin e SHBA është kërkuar shtyrje ndërsa në reagimi i BE-së ishte i çuditshëm duke thënë se kjo çështje duhet të shtrohet në bisedimet Kosovë- Serbi”, tha Koci.























