Osmani: Koha që Kosova t`i bashkohet NATO-s/Video
Medina Pasoma/ RTKlive
(12:10) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Gjermanisë përkrahje për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO. Anëtarësimin e Kosovës në këtë të fundit, Osmani e ndërlidhi me sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se Gjermania ka qenë aleat i Kosovës në procesin e shtetndërtimit si dhe edhe tash kur po forcohet demokracia.
“Vendimi për rritjen e trupave ushtarake nga ana e Gjermanisë është reflektim i qartë i mbështetjes për popullin tonë, por edhe mbështetjes për përpjekjet tona për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka thënë se tani është koha që Kosova t'i bashkohet NATO-s dhe se një vendim i tillë është pozitiv për gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Për fat të keq politika shtetërore e Serbisë po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet për akte agresioni. Natyrshëm për t’i parandaluar sulmet në të ardhmen kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë sikurse aleatëve të tjerë. Sulmi i 24 shtatorit ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në tërë Ballkanin Perëndimor. Prapa sulmit terrorist qëndron Serbia dhe institucionet, nga organizimi e te furnizimi”, ka deklaruar Osmani.
Pistorius: Gjermania do ta mbështes Kosovën ushtarakisht
(12:19) Ministri i Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se Gjermania është mbështetësi më i madh i Kosovës pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Gjermania pas SHBA-së është një nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës, si nga aspekti civil ashtu edhe ushtarak. Kjo do të jetë kështu edhe në të ardhmen. Po bashkëpunojmë tashmë me sukses në shumë fusha, shembulli më i mirë është Qendra Ndërkombëtare e Kërkim Shpëtimit dhe marrëveshja për aftësimin e oficerëve dhe nënoficerëve”, ka thënë ai.
Ministri gjerman ka deklaruar se stabiliteti shtetëror luan rol të madh jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për gjithë Evropën.
“Kërkesa e ditës është de-eskalimi. Kancelari federal e ka nënvizuar që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë por kjo parasheh si kusht dialogun dhe askush s’duhet dhe nuk mund të ketë interes në tensionimin e mëtejmë të situatës. Marrë parasysh tensionet me Serbinë, bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova ka të drejtë për të zbatuar ligjshmërinë e saj. Por siç ka thënë ai në deskalim bëjnë pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së euros si valutë e vetme.
“Kjo nevojitet të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme që të mos ketë frikë dhe mosinformim. Këto janë garanci për siguri që kontribuojnë në paqen përgjithësisht”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, i cili ka kërkuar që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të rinis shpejt.
“Vetëm atëherë iu afrohemi integrimit të Kosovës dhe rajonit. Këtu bën pjesë edhe zbatimi i katalogut të masave të dakorduara në Ohër, ky duhet të jetë qëllimi”, ka thënë ai.
Ai ka siguruar se këtë thirrje për dialog do t’ia bëjë të qartë edhe Serbisë.
“Ju siguroj se edhe në Serbi do të bëjë thirrje të qartë për dialog e de-eskalim. Kështu ia dalim t’i afrohemi integrimit në BE. Ky duhet të jetë qëllimi se qëllimi i përbashkët e që është anëtarësimi i 6 vendeve të rajonin në BE”, tha mes tjerash, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë
Edina Avdiu/RTK
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius. Takimi po zhvillohet me dyer të mbyllura.
Pas takimit, Osmani dhe Pistorius është paralajmëruar konferencë për medie.
Ministrin Pistorius do ta presë në takim edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Po ashtu pas dite, ministri Maqedonci dhe ministri Pistorius do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit.
























