YIHR me aksion: `Homofobet s’kanë vend në Kuvend`
F.S / RTKlive
Tri organizata jo-qeveritare të kryesuara nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo, sot kanë ndërprerë takimin e Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut të thirrur nga Duda Balje, kryetare e këtij komisioni.
Përmes një njoftimi nga YIHR thonë se kërkesat e tyre janë të qarta që “ Homofobat nuk kanë vend n’Kuvend dhe Duda Balje të jep dorëheqje menjëherë nga Komisioni për të Drejta të Njeriut.
“Duda Balje publikisht deklaroi përsëri që i qëndron prapa gjuhës së saj përjashtuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTIQ+ nën pretekstin klasik se “është mendimi im personal”. Këtë deklaratë e bëri sot në diskutimin që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës me temën “Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”, thuhet në njoftimin e YIHR-së.
Në njoftim thuhet se është skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese që një deputete e Kuvendit, njëherësh Kryetare e Komisionit për të Drejta të Njeriut, nuk e kupton parimin bazë mbi të cilin duhet të funksionojnë këto pozita publike - të drejtat e njeriut janë universale dhe personat LGBTIQ+ meritojnë të drejta të barabarta.
“Për këto deklarata publike Duda duhet të jep dorëheqje të menjëhershme nga pozita e kryetares. Diskriminimi vazhdon nga deputetja Labinotë Demi Murtezi, prezentë në këtë takim, që publikisht deklaroi që “PERSONAT LGBTIQ+ SHPËRNDAJNË SËMUNDJE”, deklaratë të cilin e kemi ndëgju nga ajo edhe në seancën e 16 marsit të vitit 2022. Kjo shpifje dhe gjuhë e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+ është e papranueshme dhe kërkon adresim të menjëhershëm nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, aksioni i sotëm e detyroi Duda Baljen ta lëshoj takimin të cilin vetë e ka organizuar.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Duda Balje nga Komisioni i Drejtave të Njeriut. Kërkesa është e njëjtë edhe për deputeten Labinota Demi Murtezi. Homofobet s’kanë vend n’Kuvend”, përfundon njoftimi i YIHR-së.























