Përfundon seanca e Kuvendit të Kosovës
Medina Pasoma & M.Miftari/ RTKlive
(16:30) Me dështimin e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë me rastin Dehari dhe të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe me dështimin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është përmbyllur seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës.
Në rend dite kanë qenë 50 pika, disa nga to kanë mbetur pa u trajtuar dhe pritet të shqyrtohen në seancat e tjera të legjislativit.
Formohet komisioni ad-hoc për dy anëtarë të KPM-së
(16:20) Kuvendi i Kosovës ka formuar Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, dhe për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.
Vendimi u mor me 77 vota pro, asnjë kundërshtim e abstenim, teksa në krye të komisionit do të jetë Besim Muzaqi.
Zëvendëskryesuese është zgjedhur Time Kadrijaj dhe Duda Balje, ndërsa anëtarë janë Blerta Deliu – Kodra, Mërgim Lushtaku, Agim Veliu, Rrezarta Krasniqi, Yllëza Hoti, Valon Ramadani, Fitim Haziri dhe Nijazi Isaku.
Formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së
(16:00) Formohet Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Vendimi u mor me 74 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim.
Nijazi Isaku do të jetë kryetar, ndërkaq zëvendëskryetar i parë, Isak Shabani dhe zëvendëskryetar i dytë do të jetë Fidan Jillta.
Anëtarë të këtij komisioni do të jenë: Yllza Hoti, Besim Muzaqi, Valon Ramadani, Fitim Haziri, Agim Veliu, Armend Zemaj, Time Kadrijaj dhe Bekim Haxhiu.
Dështon edhe themelimi i Komisionit Hetimor për IMK dhe ‘Rastin Dehari`
(13:52) Ka dështuar edhe themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij Instituti.
Me vetëm 30 vota për nuk u bë e mundur themelimi i këtij komisioni, ngase munguan votat e shumicës parlamentare, nga LVV, të cilët kundërshtuan themelimin e komisionit në fjalë, duke kërkuar zgjerimin e objektit të hetimit edhe në sferat tjera.
Për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti ka qenë nismë e PDK-së.
Lidhur me këtë çështje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ka mbështetur themelimin e një komisioni, sidomos në rrethana kur mungon qasja profesionale e Prokurorisë, qoftë ajo Themelore, qoftë ajo Speciale.
Ajo sqaroi se zjarret janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore, ndërsa për zhdukjen e mostrave është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.
Ministrja Haxhiu tha se është për themelimin e komisioneve që zbardhin të gjitha çështjet që janë të dyshimta, derisa shtoi se është e udhës të zgjerohet fushëveprimi i hetimeve për të gjitha skandalet që kanë ndodhur në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Tutje, ministrja Haxhiu kritikoi propozuesin e kësaj nisme, kryetarin e GP të PDK-së, Abelard Tahiri, për punën e tij si ish-ministër në dikasterin e drejtësisë, që, sipas saj, është e përshkuar me plot skandale.
Ndërkaq, deputeti Tahiri, si kundërpërgjigje ndaj ministres Haxhiu tha se "ne jemi të përcaktuar në hetimin në ‘Rastin Dehari’, e pak kanë rëndësi zjarrëvënia dhe objekti i IMK-së".
Dështon themelimi i Komisionit Hetimor për punën e MPJD-së
(14:55) Ka dështuar themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,ngase shumica parlamentare nuk mori pjesë në votim.
Për themelimin e këtij komisioni votuan 29 deputetë, derisa deputetët e shumicës parlamentare nuk votuan, kështu që kjo çështje ka mbetur të shqyrtohet në seancën e radhës.
Polemika në Kuvend për themelimin e Komisionit Hetimor për punën e MPJD-së
(14:12) Shqyrtimi i themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, po shoqërohet me polemika në Kuvendin e Kosovës.
Ideatorja e këtij propozimi, Ariana Musliu-Shoshi nga PDK ka thënë se ky komision vjen si mundësi për shqyrtim të emërimeve dhe shkarkimeve të paligjshme të anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të kësaj ministrie. Ganimete Musliu ka thënë se kundërshtimi i themelimit të këtij komisioni do të shihet si tendencë për të fshehur diçka. Të njëjtën përkrahje për themelimin e këtij Komisioni e kanë shprehur edhe përfaqësuesit e AAK-së dhe të LDK-së.
Ndërkaq VV ka kërkuar zgjatje të hetimit, duke thënë që të hetohen edhe punët e ministrave të kaluar dhe kabinetit të tyre. Arbëreshë Kryeziu – Hyseni nga kjo parti ka kërkuar diskutimin e kësaj çështje kur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndodhet në Kuvend.
“Ministrja Gërvalla nuk gjendet këtu sepse është në New York, në Këshill të Sigurimit për ta mbrojtur Republikën e Kosovës përballë kërkesës së Vuçiqit për të diskutuar për Kosovën sot aty. Çka do të duhej të bënim sot ne, do të ishte që bashkërisht do të duhej të ishim në mbrojtje të asaj se si do të prezantohet sot Republika e Kosovës dhe jo të tentohet të tërhiqet vëmendja me një kërkesë të tillë për të krijuar një komision hetimor në një moment kaq të rëndësishëm si ky, që pritet të ndodhë pas pak orësh”, tha Kryeziu – Hyseni.
Nuk votohen marrëveshjet ndërkombëtare
(13:05) Në mungesë të kuorumit, nuk votohen marrëveshjet ndërkombëtare, ngase në sallë janë të pranishëm 68 deputetë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjnufca, kritikoi edhe partitë politike në moskoordinimin e tyre lidhur me këtë çështje.
“Nuk po shoh që ka as mobilizim mas grupeve parlamentare për të bërë marrëveshje se si të votohen këto marrëveshje ndërkombëtare. Pa një marrëveshje mes pushteti e opozitës nuk ka mundësi që këto marrëveshje të votohen”, deklaroi kryeparlamentari Konjufca.
Ministrja Haxhiu njofton për vizitën e homologut të saj danez në Kosovë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur për marrëveshjen ndërkombëtare më Mbretërinë e Daninmarkës, që ka të bëjë me burgjet, bëri të ditur se ministri i Drejtësisë nga Danimarka do ta vizitojë Kosovën, më 12-13 shkurt.
“Qëllimi i vizitës së tij është që takohet me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, por edhe me grupet parlamentare të opozitës”, deklaroi ministrja Haxhiu, teksa shtoi se kjo marrëveshje duhet të futet në rend dite pas vizitës së homologut të saj danez.
Haxhiu-ministres Nagavci: Deputetët votojnë sipas bindjeve të tyre
(12:52) Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci në pyetjen e deputetit Bekim Haxhiu lidhur me digjitalizimin e provimeve të maturës shtetërore, tha se përgjigjem nëse votoni marrëveshjet ndërkombëtare. Këtë përgjigje të ministres Nagavci, deputeti Haxhiu e cilësoi si shantazh ndaj deputetëve të Kuvendit.
“Me kësi lloj qëndrimesh, jo që mund të presim përmirësim të cilësisë në arsim, por ky është degradim i llogaridhënies së qeverisë përpara deputetëve” deklaroi deputeti Haxhiu, teksa sqaroi detyrat e ministrave dhe ekzekutivit përpara deputetëve të Kuvendit.
“Nëse nuk kanë aftësi të përgjigjen ndaj pyetjeve të deputetëve, atëherë nuk mund të ndikojnë në qëndrimin e deputetëve, sepse deputetët janë të lirë me Kushtetutë dhe rregullore të Kuvendit, të votojnë sipas bindjeve të tyre”, sqaroi më tej deputeti Haxhiu.
Ndërkaq lidhur me arsyetimin e ministres Nagavci për mospërgjigjen e saj për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Haxhiu shtoi se ka ligje që kërkohen me 61 vota të deputetëve dhe nuk po votohen nga vetë deputetët e LVV-së.
Murati: Ligjin për pagën minimale e ka penguar opozita
(11:55) Ministri i Financave, Hekuran Murati reagoi ndaj deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, për pagën minimale, ku, sipas ministrit, ky ligj për më shumë se një vit është sjellë në Kuvend, por që është vonuar për shkak të pengimit në votim nga partitë opozitare.
“Sa i përket pagës minimale, më lejoni t’ju rikujtoj se paga minimale ka një vit e ca që ne kemi sjellë në Kuvend, si qeveri. Është vonuar pikërisht në Kuvend, sepse opozita ka penguar votimin e pagës minimale. Megjithatë në korrik të vitit të kaluar, ligji që mundëson rritjen e pagës minimale ka kaluar në këtë kuvend. Mirëpo është një subjekt politik që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese për ta penguar rritjen e pagës minimale”, deklaroi ministri Murati.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në pyetjen e deputetit Isak Shabani, lidhur me mbështetjen e kategorive të dala nga lufta, tha se sipas legjislacionit në fuqi, një kategori e cila ka dhënë shumë për vendin bëjmë të pamundurën për të adresuar kërkesat e tyre që mund të ballafaqohen.
“Legjislacioni në fuqi parasheh edhe mbështetjen financiare të këtyre kategorive dhe ne, si ministri, jemi munduar të sigurojmë buxhetin e mjaftueshëm për të ekzekutuar këto pagesa për të gjitha katëgoritë e luftës”, deklaroi ministri Murati
AAK me kritika për pagat e sektorit publik dhe pagën minimale
(11:35) Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur kritika për sa i përket rritjes së pagave në sektorin publik dhe pagën minimale në Kosovë.
“80% e administratës së shërbyesve civil kanë pasur rritje page prej 20 deri në 40 euro. Rritje më e madhe është te kryeministri, ministrat, e të emëruarit politik. Aty është bërë rritja më e madhe prej 50%”, ka thënë ai në seancën e kuvendit.
Ai ka shtuar se paga minimale është ende ajo që ka qenë para 11 vjetëve. “Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 400 euro dhe të përfshihen edhe veteranët e UÇK-së”, ka thënë Tahiri.
Selmanaj kërkon lirimin e Dakajt: Shteti nuk ka ndërmarrë asgjë
(11:26) Përfaqësuesi i grupit parlamentar të LDK-së, Driton Selmanaj, ka kërkuar vëmendje nga institucionet e vendit për angazhim ndaj rastit të arrestimit të ish-luftëtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.
Tashmë janë bërë 1 muaj e 5 ditë nga arrestimi i tij nga policia serbe në Merdar, teksa ai po udhëtonte me vëllanë e tij.
“Informatat e familjarëve, të siguruara nga avokati i caktuar nga gjykata e Serbisë, tregojnë se ai po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Beograd. Nga regjimi dhe autoritetet në Serbi po akuzohet për krime lufte në Kosovë. Është e papranueshme dhe e pakuptimtë mungesa e përkushtimit të bartësve të institucioneve të Kosovës për lirimin e Hasanit. Është folur dy ditë pas arrestimit të tij dhe nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë Selmanaj.
PDK kundërshton projektligjin për KPM-në: Minim i aspiratës për BE
(11:20) Blerta Deliu – Kodra e ka quajtur sulm ndaj demokracisë Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Medie, i cili kërkon ndryshimin e rregullimit të medieve online nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror.
“Këto ndryshime dekurajojnë gazetarët të raportojnë për çështje me interes publik nga frika e hakmarrjes shtetërore. Kontrolli shtetëror i medias minon edhe aspiratën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Ajo ka kërkuar rishqyrtim të projektligjit para se të bëhet vonë për sa i përket arenës ndërkombëtare.
Ndryshon rendi i ditës, shqyrtohet marrëveshja me BE-në për digjitalizim
(11:05) Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar ndryshimin e rendit të ditës dhe shqyrtimin e përshpejtuar të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së, “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027”.
Vendimi është marrë me 61 vota për, 23 kundër dhe asnjë abstenim, teksa kërkesën e shtruar nga deputetja Jeta Statovci, e kanë kundërshtuar partitë opozitare.
“Ju e dini që Kosova është nën sanksionet nga BE. Kot e miratojmë me procedurë të përshpejtuar këtë marrëveshje kur kjo nuk do të zbatohet. Kjo për neve është e palogjikshme dhe e papranueshme”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Miratimi i kësaj marrëveshje është mëse i kot sepse Kosova ka sanksione dhe është e përjashtuar edhe nga ky projekt”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se shqyrtimi i kësaj marrëveshje është i nevojshëm.
(11:00) Dështon miratimi i rezolutës për uljen e çmimit të energjisë elektrike
Me 55 abstenime, asnjë votë kundër dhe 29 vota pro, ka dështuar miratimi i rezolutës për çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.
Kjo rezolutë ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe përmbante pesë pika. Në njërën nga to theksohej anulimi i vendimit për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.
(10:27) Deputetët e Listës Serbe rikthehen në Kuvend, nis seanca
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca, ku njëra nga to do të jetë vazhdim i seancës së jashtëzakonshme të 18 janarit, ndërsa tjetra seancë plenare.
E të pranishëm janë edhe deputetët nga Lista Serbe, të cilët kanë ardhur në Kuvend pas shumë muajsh mungesë.
Megjithatë, rikthimi i tyre në Kuvend me gjasë ka të bëjë me praktikën e tyre të zakonshme për verifikim si deputet dhe mos humbje të mandatit, ngase sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, pika 5, mandati i deputetit përfundon kur ai mungon gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit.
Në rendin e ditës së seancës plenare do të jenë plot 50 pika, e që ajo e 13-ta do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në IML, zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari dhe çdo veprim e mosveprim të ministrisë, që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.























