Biden i kërkon Serbisë kompromise në dialogun me Kosovën
V.Th. RTKlive
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Serbisë i ka shkruar letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në mesazhin e urimit, Biden ka konstatuar se Serbia bëri progres në dialogun me Kosovën. Ai i ka thënë Vuçiqit se Ballkani është në interes të SHBA-së, duke e inkurajuar “të vazhdojë me progresin e vitit të kaluar në dialogun me Kosovën”, si dhe të bëjë "kompromise kur të jetë e nevojshme".
“Inkurajoj Serbinë të bëjë hapa përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromise kur të jenë të nevojshme, me synim që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Marrëveshja për normalizim dhe zbatim paraqet hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”, thuhet në mesazhin e presidentit Biden.
Tutje në letrën e Biden thuhet se Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt përmbushjes së këtij qëllimi.
"Ndërtimi i një Ballkani Perëndimor më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm është në interesin e SHBA-së dhe Serbisë, dhe në të ardhmen pres me padurim avancimin e këtij qëllimi duke forcuar sigurinë energjetike rajonale dhe duke zgjeruar lidhjet tona ekonomike”, ka theksuar tutje Biden.























