Dardan Vuniqi zgjidhet anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës
BKT
Lajme

Dardan Vuniqi zgjidhet anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës

M.P. / RTKlive

(2:50) Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është përmbyllur me përzgjedhjen e Dardan Vuniqit si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës.

Mandati i tij do të jetë pesë vjeçar.

“Emine Abdyli – Pozhari ka fituar 36 vota, Dardan Vuniqi ka fituar 49 vota”, ka deklaruar deputetja Blerta Kodra Deliu pas votimit të deputetëve në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Remzie Zeqiraj zgjedhet Komisionere Parlamentare për FSK-në

(14:16)  Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot Remzie Zeqiraj, Komisionere Parlamentare për FSK-në me mandat pesë vjeçar.

Ajo u zgjodh me 49 vota, teksa votuan 96 deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku 4 fletëvotime qenë të pavlefshme. Zeqiraj u zgjodh në rendin e dytë të votimit, duke lënë prapa kundërkandidatin Fadil Hadërgjonaj me 43 vota. Ndërkaq në rendin e parë të votimit u diskualifikua kandidati tjetër Sami Hajrullahi.

Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për FSK-në shkon sërish në votim

(13:36) Ka dështuar votimi i parë i zgjedhjes së Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Deputetët do të shkojnë në rrethin e dytë të votimit, pasi asnjëri prej kandidatëve nuk i ka fituar votat e mjaftueshme. Ndërkaq, në rrethin e parë është diskualifikuar kandidati Sami Hajrullahi, i cili kishte më së paku vota.

“Rezultatet e votimit janë: Sami Hajrullahi 10 vota, Fadil Hadërgjonaj 39 vota dhe Remzije Zeqiraj me 41 vota”, ka thënë Albana Bytyqi, teksa ka prezantuar rezultatet e votimit të parë.

Tani votimi vazhdon për Fadil Hadërgjonaj dhe Remzije Zeqiraj.

Në votimin e parë morën pjesë 93 deputetë, ku 8 nga ta patën fletëvotimet e pavlefshme.

Kuvendi në shqyrtim të Komisionerit Parlamentar për FSK-në

(12:52) Kuvendi i Kosovës nëpërmjet komisionit zgjedhor në përbërje prej Salih Zyba, Hisen Berisha, Besjan Mustafa, Albana Bytyqi, Erxhan Galushi po voton për përzgjedhjen e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Të propozuarit janë Sami Hajrullahi me 89 pikë, Fadil Hadërgjonaj me 88 pikë e Remzije Zeqiraj me 85 pikë, të cilët janë vlerësuar paraprakisht nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Jeton Bytyqi kandidati i zgjedhur i Kuvendit për gjyqtar në Kushtetuese

(12:45) Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dritën jeshile kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Jeton Bytyqi, me 69 vota në favor të tij.

Tani vendimi për zgjedhjen e Jeton Bytyqit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të merret nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Në votim kanë marrë pjesë 96 deputetë, të pavlefshme janë 8 fletvotime ndërkaq Jeton Bytyqi ka fituar 69 vota, e  Selam Imeri ka fituar 19 vota”, ka thënë deputetja Albana Bytyqi, gjatë deklarimit të votave të deputetëve.

Deputetët po votojnë për përzgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

(12:38) Deputetët e Kuvendit të Kosovës po votojnë me vota të fshehta për përzgjedhjen e njërit prej kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Me 75 vota, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin zgjedhor për këtë pozitë në përbërje: Hajdar Beqa, Besian Mustafa, Albana Bytyqi dhe Samra Iliazi.

Në garë janë dy kandidatë: Jeton Bytyqi ose Selman Imeri.

Nga komisioni paraprak, Jeton Bytyqi është vlerësuar me 10 pikë, ndërkaq Selman Imeri me 7,38 pikë, transmeton rtklive.

Kuvendi voton tre anëtarët e KShC-së për Agjencinë e Kosovës për Akreditim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 63 vota për emërimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, transmeton rtklive. 

“Kuvendi me këto vota i zgjedh Mirlinda Batallin, Avni Berishën dhe Jetmir Haxhibeqirin si anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Mandati i tyre është katër vjeçar”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit, Glauk Konjufca.


MË SHUME NGA Lajme