Analistët në RTK Prime: Deklarata e O`Brien për Kosovën shqetësuese
BKT
Lajme

Analistët në RTK Prime: Deklarata e O`Brien për Kosovën shqetësuese

M.Miftari/ RTKlive

Deklarata e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit ishte tema kryesore që u trajtua në `RTKPrime`.

Sa serioze është deklara e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit dhe a ka lëkundje të raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës?  Për këto tema, folën njohës të çështjeve politike dhe të sigurisë, Besa Luzha, Melazim Koci dhe Bujar Dugolli.

Për analisten Besa Luzha shqetësuese është keqmenaxhimi i situatës në të cilën ndodhet vendi.

Ajo tha se deklarimi i O’Brien u duk shumë serioz, prandaj hapin duhet ta marrë ai institucion që e ka shkaktuar këtë situatë. Sipsd Luzhës, Banka Qëndrore duhet të marrë përgjegjësi dhe ta riformulojë qartë dhe ta ripozicionojë implementimin e vendimit.  

“Shqetësuese është se ka mundur të menaxhohej kjo situatë më mirë, si ta sekuencojmë, planifikojmë një informim, një kampanjë, sepse kjo ka bërë pengesë në ecjen e Kosovës në dialog”, deklaroi Luzha, derisa si zgjidhje ajo konsideron se BQK duhet ta marrë hapin për ripozicionimin e vendimit të saj karshi situatës në të cilën ndodhet vendi.

Kurse profesori universitar Bujar Dugolli, deklaratën e ndihmës-sekretarit të Shtetit, e konsideron si hatërmbetje, sepse sipas tij, nuk do të vinte deri te një deklaratë e tillë nga SHBA-ja po qe se ajo dhe Bashkimi Evropian, të bënin presion e duhur mbi Serbinë tw mos tërhiqet nga Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit.

“Në deklaratën e parw O’Brien thotë se Serbia e ka tërheqë letrën e parë, që thotë se nuk e zbatojmë marrëveshjen, pikat kyçe të saj e që për Kosovën janë të domosdoshme. Jam i sigurt se asnjë veprim nuk do të ndodhte sikurse të mbeteshim në marrëveshje. Do të thotë se Serbia në mënyrë të njëanshme ka dërguar shkresë se nuk e pranon më atë marrëveshje…Ashtu si janë këta të pakënaqur me Qeverinë e Kosovës ashtu mund të jenë të pakënaqur edhe ne qytetarët tanë me shumë veprime që bëjnë ata në raport me Serbinë”, tha mes tjerash Dugolli.

Ai tha se ndodhi Banjska dhe Serbia nuk u sanksionua e as nuk u ndwshkua nga askush, as nga SHBA, as nga BE. “Kosova duhet ti kryej obligimet ligjore, ka pasur presion edhe më parë por në fund është zgjedhur ashtu si ka thënë Kosova sepse ishte në të drejtën e saj”, tha Dugolli.

Politologu Melazim Koci tha se qortimi i i James O’Brien është shumë serioz dhe se nuk lë shumë hapësirë për interpretime. Sipas Kocit këto deklarata janë njësoj sikur t’i ketë thënë vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sepse O’Brien është dora e tij e djathtë për Evropën.

Melazim Koci theksoi se çështja e dinarit është nusprodukt i Marrëveshjes franko-gjermane, e cila ka dështuar, jo me fajin e Kosovës, por të Bashkimit Evropian .

“Por deklarimi i zotit O’Brien duhet marrë seriozisht, sepse është njohësi më i mirë i rrethanave të Kosovës dhe mik i Kosovës. Kjo duhet të trajtohet seriozisht nga Kosova sepse kjo është humbje e durimit të Adminsitratës së SHBA-së me disa veprime të deritashme si me targa, e me dërgimin e kryetarëve nëpër komuna”, tha, mes tjerash, Koci.

Tutje ai tha se SHBA ka reaguar në këtë mënyrë sepse ata i frikësohen shkaktimit të trazirave në veri, duke e ditur se serbët dinë ta instrumentalizojnë popullatën atje,  krizë tjetër.

“Këto veprime Kosova duhet ti bëjë në koordinim me ta sepse SHBA-të janë partneri jonë”, tha ai, duke shtuar se “në situatën aktuale as Gjermani që është gjigand ekonomik dhe politik në botë që merr vendime kokë në vete pa konsultime me Shtetet e Bashkuara”.

Politologu Koci deklaroi se shtetet e vogla dhe popujt e vegjël që marrin rrugë të mos konsultimit me aleatët e tyre, paguajnë çmim.

Në anën tjetër, Melazim Koci tha se ky rast me dinarin mund të shfrytëzohet si katalizator për futjen e Asociacionit në tavolinën e dialogut Kosovë-Serbi.


MË SHUME NGA Lajme