11:20 / 16.02.2024
RTK me program special në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
M.P. / RTKlive
Radiotelevizioni i Kosovës ka përgatitur skemë programore maratonike për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Që nga mëngjesi deri në mbrëmje, transmetuesi publik do të sjellë dimensione të ndryshme të festës shtetërore. Agjenda shtetërore duke filluar nga ngritja e flamurit të Kosovës, seanca solemne e Kuvendit të Kosovës e intervista me personalitete të rëndësishme të kësaj date do t’i shoqërojnë shikuesit e RTK-së.
Një program i përbashkët me Radio Kosovën do të jetë risi programore, teksa festa do të përcjellët nga i gjithë vendi nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta nga qytete të ndryshme. Muzika, dokumentarët e koncertet nuk mungojnë në pjesën artistike të këtij transmetimi maratonik.























