Kërcënohen me vrasje dy pjesëtarë të KFOR-it, arrestohen dy persona
G.K/RTKlive
Dy pjesëtarë të KFOR-it janë kërcënuar me vrasje në fshatin Lubiçevë të Prizrenit. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ai për RTKlive tha se të dyshuarit janë arrestuar nga policia.
“Me date 26.02.2024 rreth orës 10:10 policia ka marre informatën se ne fshatin Lubiçevë dy persona të dyshuar i kanë kanosur pjesëtarët e KFOR-it italian të cilët ishin për vizitë në atë fshat. Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me karabinierët të cilët kanë deklaruar se për deri sa ishin duke qëndruar në një lokal aty në fshat, të dyshuarit afrohen fillimisht duke i ofenduar e me pas njeri nga të dyshuarit i ka kanosur me vrasje duke ju thënë “se do të shkojë në shtëpi të marr kallashnikovin dhe do ju vras të gjithëve”, tha Bytyqi.
Siç raportoi zëdhënësi i policisë në Prizren, të dyshuarit janë larguar me veturë në drejtim të Prizrenit ku dhe janë arrestuar.
“Fillimisht është arrestuar nga policia njëri nga të dyshuarit, ndërsa më vonë edhe i dyshuari i dytë është arrestuar. Janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve, në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur një pushkë dhe municion. Pas intervsitimit, me urdhër të prokurorit të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Bytyqi për RTKlive.























