Kosova me film për luftën, prezantohet projekti
BKT
Kulturë

Kosova me film për luftën, prezantohet projekti

Valjete Shala /RTK

Nga janari e deri në qershor, nuk ka javë që në Kosovë të mos ketë ndonjë ditë ku përkujtohen të rënët e të masakruarit gjatë luftës së fundit. E tillë është edhe dita e sotme, pasi u mbushën 26  vjet nga masakra në Likoshan e Çirez, ku forcat serbe vranë 24 civilë të familjeve Gjeli e Ahmeti.

Por vetëm përkujtimi i ngjarjeve të tilla nuk mjafton. Prandaj, përjetësimi i vuajtjeve të shqiptarëve, pritet të përjetësohet në filmin me regjisor nga Hollovudi, të titulluar "Lufta për çlirim". Projekti u prezantua sot.

U bënë 26 vjet nga masakra e Serbisë mbi banorët e fshatrave Likoshan e Çirez të Drenicës. Te vendi i quajtur “Te tre lisat” ishin zhvilluar luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.

Më pas, forcat serbe rrethuan fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të familjeve Gjeli e Ahmeti. Mes tyre, u vranë edhe gra shtatzëna.

Ngjarje të rënda si kjo por edhe shumë të tjera si masakra e Izbicës, Prekazit, Rogovës, Mejës apo në veçanti e Reçakut, ende mbahen në mend. Por për brezat e ardhshëm, mbamendje do të jetë realizimi i filmit me të ri Hollywoodian që i kushtohet luftës në Kosovë.

“Kjo histori më tërhoqi për ato arsye që bazohet në historinë e këtij vendi. Këto rrëfime më prekën, rrëfime të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës, që janë shumë të afërta për zemrat e tyre - kjo me ka shtyrë që këto rrëfime duhet të tregohen. Ne mesin e aktorëve do të jenë aktorë që janë të talentuar dhe që kanë vlera dhe që janë të popullarizuar në mbarë botën”, tha regjisori Louis Mandylor.

Producenti i projektit sqaron edhe një arsye tjetër për realizimin e një filmi të tillë.

“Unë kam fillua për arsye mi tregu botës së çfarë ka ndodhur në Kosovë. Dukë parë edhe propagandën ruse, vendosa që të bëj një skenar për ngjarjet para, gjatë luftës dhe pas”, tha producenti Fitim Krasniqi.

Ai që ishte dhe është pranë Kosovës, shpreson që ky film të realizohet sa më shpejt.

“Këtu po flasim për një film interesant dhe me vlerë i cili besoj që do të realizohet së shpejti. Tema e filmit është se si ka qenë Kosova para, gjatë dhe pas luftës. Çlirimi, pavarësia dhe si është Kosova sot nga këndvështrimi im pasi i kam përcjell ngjarjet e Kosovës që 24-25 vjet. Kosova është një rrëfim i jashtëzakonshëm”, tha William Wolker, ish-ambasador i OSBE-së në Kosovë.

Xhirimet e filmit pritet të nisin brenda këtij viti në Kosovë, Shqipëri e Amerikë në të cilin do të luajnë aktorë vendorë e Hollywoodianë. Filmi do të jetë i zhanrit dramë-aksion.


MË SHUME NGA Kulturë