Kovaçi: Heqja e gazetave, tentativë për të mos pasur fakte
Lumnije Berisha/Radio Kosova
Gazetarja dhe autorja e vëllimit poetik “Më lini pak q(d)iell”, Nikoleta Kovaçi, nga fillimi i karrierës ka punuar kryesisht në media të shkruara në Tiranë, ndërsa aktualisht punon tek gazeta “Panorama”, ku mbulon rubrikën kronika e zezë. Në intervistë për Radio Kosovën, Kovaçi ndër të tjerat ka thënë se: “Kronika e zezë është gazetaria që kurrë s’e kam menduar që do ta bëja, por është zhanri i gazetarisë që kurrë nuk do ta ndërroja edhe sikur të kthehesha njëmijë herë mbrapa.”
Radio Kosova: Libri “Më lini pak q(d)iell”, ka një histori interesante. Poezitë i keni shkruar dekada më parë, konkretisht në vitet e 90-ta. Të njëjtat ju erdhën dhuratë për ditëlindjen tuaj. A mund t’i ndani këto emocione me ne. Kush ua bëri befasinë dhe teksa e hapnit pakon e dhuratës, çfarë ju shkonte në mendje? Siç e kam informatën, ju i kishit harruar ato poezi!
Nikoleta Kovaçi: Ishte befasia më e madhe që mund t’i ndodh dikujt. Kisha vendosur që mos t’i publikoja ato poezi sepse janë poezi të shkruara në një moshë pak a shumë delikate. Janë poezi të shkollës së mesme, besoj në vitin e parë dhe praktikisht më ka ndodhur që viti i parë i imi të ishte viti i parë i pluralizmit Kishim nevojë për pluralizëm sepse pluralizmi vazhdon dhe ende nuk e kemi gjetur cili ishte. Duke qenë që ato ishin poezi të ndjeshme, ishin poezi të sinqerta, poezi revolte ndaj thashë mos t’i nxirrja sepse thosha se poezinë time e ka shkruar Migjeni, e ka shkruar Camaj. Më vonë hasa Reshpjen. Thashë është lëvruar ajo dhe i futa në një fletore në rrugëtimin tim nëpër Tiranë si studente fakultet, pastaj në punë. Erdhi një ditë dhe njihem me kolegen tuaj, miken time të mirë Vera Pelaj. Duke diskutuar për vlerën e poezisë dhe çështjen e letërsisë në përgjithësi, më thotë: “Shoqe shkruan?”. I thashë: “Kam shkruar dikur, por tani jo. Shkruaj vetëm kronikë të zezë”. Më tha: “ A do të m’i japësh poezitë e tua...?”. I mori që atë ditë e deri ditën që më erdhi libri, më 2 dhjetor, unë nuk i pashë ma dhe realisht nuk e dija që ato poezi ishin. Befasia tjetër ishte që nuk po e kuptoja se çfarë kishte pakoja brenda. Mendova mos më kishte ardhur nga Greqia, Gjermania apo nga Italia, por prapë nuk më thoshte gjë sepse pakoja ishte shumë e madhe. Në momentin kur më doli kopertina e librit blu, u shokova, por prapë nuk më shkonte mendja. E kisha marrë librin në dorë dhe thjesht e shihja si diçka të huaj dhe isha gati ta lëshoja në tokë nga emocionet. E kuptova që gjithçka e kishte bërë Vera. I falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në bashkëpunimin e këtij libri. Është meritë e tyre kopertina, titulli, brendia e gjithçka që është punuar nga Vera dhe bashkëpunëtorët e saj.
Radio Kosova: Befasitë për juve nuk kishin të ndalur. Provimin e librit gjithashtu ua bënë befasi. Sërish emocione. Vazhdoni dhe pa të na i shpalosni emocionet.
Nikoleta Kovaçi: Ajo pastaj ishte goditja “fatale”. Më shkruan Flutura Açka, një mikeshë shumë e mirë e imja, që më është lutur para njëzet vjetësh që t’ia jepja poezitë e mia që t’i botonte. Flutura ka pasur Shtëpinë Botuese “Scanderbeg Books” dhe më lutej t’ia jepja, por nuk ia dhashë kurrë. Më shkruan Flutura dhe më thotë: “Nikoletë, do të takohemi për një gotë verë dhe të flasim për poezinë në tërësi”. Mirë, i thashë, por jam në punë, orari i papërshtatshëm...” Po mirë, tha. “Hajde vetëm një orë”. U bashkuam të sheshi “Piazza”. Aty ishte vendosur Flutura bashkë me miqtë e mi, kur shoh që vjen Vera me një valixhe. Ideja ishte gjithnjë se tek valixhja ka marrë gjëra për të shkuar gjëkundi. E pyes: “Ku është vajza”, sepse nuk e pashë vajzën me vete. “Vajzën e kam lënë në Prishtinë”! Prapë u çudita. Vazhdova tek ajo tavolinë, por s’po kuptoja fare. U bashkuan njerëzit. U hap lokali. Kur Vera hapë valixhen e dalin librat, aty kuptova se ishte gjithçka një kurth. Çdo gjë kaloi bukur. Nuk e prisja dhe aty u vura për herë të parë përballë poezisë time. Nuk kam guxuar ta hap librin nga dita që më ka rënë në dorë, më datën 2 dhjetor, e deri atë natë që janë lexuar poezitë e mia. Kur e lexon duke i lexuar dikush tjetër, për fatin e mirë ata ishin të gjithë poet, shkrimtarë, aktorë, por kishte edhe dashamirë të poezisë, sepse poezia duhet dashur, po nuk u desh poezia nuk kuptohet, edhe aty fillova dhe thashë: Këto janë poezitë e mia? Unë i kam shkruar këto?! Ishte befasi dhe miqtë janë pasuria më madhe që ka njeriu në jetë. Gjithçka tjetër shkon e vjen, por miqtë janë aty.
Radio Kosova: Titulli “Më lini pak q(d)iell”, i përgjigjët vargjeve të librit. Unë e kam lexuar, përkundër jush që thoni “nuk kam guxuar ta lexoj. I lexoj me ëndje vargjet: “Më jep pakëz qumësht moj nënë, dua të jetojë edhe unë. Më lini pakëz qiell, me lini pakëz tokë, më lini pakëz hënë”. Ç’farë ju tha Vera, e titulloi librin në saje të kësaj poezie? Si erdhi ideja që ta titullohet “Më lini pakëz q(d)iell?”
Nikoleta Kovaçi: Po besoj. Vera më njeh shumë mirë si natyrë, si formim dhe si ndjeshmëri, paçka se ne nuk flasim shpesh për veten tonë me njëra – tjetrën, për botëkuptimin tonë, për thelbin tonë, sepse thelbi gjithnjë vetëkuptohet në momentin kur hyn në një marrëdhënie, por besoj që ka qenë fiks titulli që e përmbledh librin, brendinë e poezisë time. Ajo është një poezi që tani nëse do më thuash nga të ka ardhur para tridhjetë vjetëve, nuk di të ta shpjegojë, por sot që kuptoj që them “Nënë, më jep pakëz qumësht”, nuk është nëna, sepse unë besoj që nëna ka qenë Shqipëria, meqenëse unë e doja Shqipërinë me diell, e doja Shqipërinë me qiell dhe e doja Shqipërinë të ishte ushqyer mirë e jo Shqipërinë siç ishte. Besoj se ka qenë e gjithë ideja për Shqipërinë nën ndërvetedijen time. Shqipëria ishte unë dhe unë isha Shqipëria dhe asnjëherë nuk e kam trajtuar veten si një njeri i persekutuar, por gjithnjë kam parë Shqipërinë që ishte e persekutuar. Nëse kam vuajtur unë, gjithmonë e kam lidhur vuajtjen time me Shqipërinë sepse nuk kam thënë që po vuaj vetëm unë. Besoj që edhe titulli i librit ju ka ardhur natyrshëm si Verës dhe si Sylejman Aliut, të cilin e falënderoj shumë që e ka bërë redaktimin e librit.
Radio Kosova: Znj.Kovaçi, brenda këtij vëllimi poetik ka mjaftë figura stilistike. I keni përdorur për t’i pasuruar poezitë, apo kanë ardhur natyrshëm?
Nikoleta Kovaçi:Tani nuk di të them pse i kam përdorur dhe nga i kam gjetur. Dua t’ju them vetëm diçka. Deri në klasën e tetë unë nuk kam lexuar libër letrar që më ka ngelur në mendje. Ne kishim libra për partinë tek biblioteka e shkollës. Si shkollë fshati ishte shumë e vogël dhe shumë e varfër. Duke qenë se unë isha një fëmijë rebel, nuk e pranoja sistemin, refuzoja gjithçka. Tani që kujtohem, nuk kam mbajtur në mend asgjë nga librat që lexoja nga ajo kohë sepse i refuzoja. Mund t’i merrja, mund t’i lexoja, por i refuzoja. Në klasën e tetë mund të jem takuar me poezinë e Bilal Xhaferit. Ka qenë poeti i parë që më ka tronditur, për mua dhe poeti më i mirë që ka dalë nga Shqipëria. Aty arrita të kuptojë se po, paska njerëz që kanë mundur të shkruajnë, paska njerëz që dinë çka është poezia. Pastaj u njoha me Migjenin. Nuk e di se ka më erdhi në vitin e parë. Në 1991 edhe ato biblioteka që ishin, paçka se ishin libra të partisë, ato u shkatërruan, nuk ngeli asgjë. Prapë ne ishin pa libra, prapë nuk i njihnim autorët deri nga veti 3-4 i shkollës së mesme që erdhi libri i letërsisë e që ishte nga librat më të mirë dhe më me botëkuptim për fëmijë dhe për nxënësit. Nuk e di se nga më ka ardhur dhe besoj se poezia është diçka gjenetike. Ne kemi qenë familje që kemi pasur prirje për letërsi. Kam dy vëllezër që kanë qenë talentë, paçka që ata nuk e ushtruan sepse u përballën me një realitet komplet tjetër. Dhe kaligrafinë në mënyrë se si e shkruaja me stilolaps ose me penë kur kemi nisur për herë të parë se nuk kemi pas stilolapsa, ideja ime ishte që ta kopjoja babën sepse baba ka pas një kaligrafi të jashtëzakonshme, e mendoj që edhe kjo është gjenetike. Tani që e mendoj, ajo nuk ka ardhur nga fakti për ta kopjuar babën por ka qenë vijimësi ose nevojë për të pasur vijimësi. Vazhdoj edhe sot ta kem kaligrafinë e tim ati. Po ashtu kam edhe vëllezërit që kanë kaligrafinë e tim ati.
Radio Kosova: Ju keni filluar të shkruani që nga vitet e 90-ta. Atëherë Shqipëria u fut në demokraci, nga ana tjetër poezitë tuaja shprehin shumë revoltë brenda. E kujtoni kohën e mëparshme, çfarë ndodhi që edhe në demokraci t’ju vjen gjithë ai mllef?
Nikoleta Kovaçi: Nuk dua të them që është mllef. Tani mund të lexohet si mllef sepse tani jemi në kohë tjetër, moshë tjetër, por në atë kohe ishte revolte e gjithçkaje që unë thosha. Para 90-ve, unë mund të reagoja, mund të ndaj një episod në klasën e tretë. Ne vendosnim shallin e pionierit. Ngase isha nxënësja më e mirë e shkollës, ose kështu më quanin, dhe pse mua nuk me takonte sepse isha e persekutuar politikisht, nuk e dija se çfarë kemi bërë ne familja që ishim të persekutuar, por ne realisht ishim të persekutuar, dhe ngaqë isha nxënësja më e mirë, këtë nuk e evitonin dot, e pranin. Donin të më nxirrnin para nxënësve që të bëja betimin, por refuzoja. Nuk refuzoja të merrja shaminë sepse nuk kisha kah të shkoja pa të sepse ishte diçka që e merrnin të gjithë në klasën e tretë, por unë refuzoja të dilja aty. Pra, nuk po refuzoja aktin, shaminë, por refuzoja sistemin. Këtë e kam bërë në klasë të tretë. Isha e vetëdijshme që nga klasa e parë që si fëmijë shtatë vjeç është e frikshme të kesh një vetëdije të këtillë që gjithçka që mund të kundërshtoja në shkollë me bindje, mund t’i bëja keq babës, mund t’i bëja keq nënës, motrës që ishte më e madhe, vëllezërve që kishin filluar të dilnin në shkollë. E gjithë beteja jonë ishte shkolla. Kur kam ardhur te poezia që fillova të shkruaja, mund ta kem shkruar shumë më herët se atëherë që i kam shkruar në fletore, ishte revolta e sistemit që ishte bërë keq, nuk ishte e gjitha revoltë për veten time se ishte bërë keq për të gjithë. Ne patëm fat të mirë se patëm një baba open –mind, po e përdor këtë fjalën e autorëve aktual. Ai kurrë nuk na ushqeu t’i urrejmë njerëzit që na bënin keq. Ne i dinim, i dimë, i njohim dhe sërish i kemi nëpër këmbë. Kurrë nuk i urryem njerëzit që na bënë keq me idenë se sistemi i bëri që të na bënin keq, dhe duke pas parasysh që unë nuk e pata guximin kurrë t’ia them atij që më bëri keq, që ti më bëre keq, ti më le pa shkollë, ti më le motrën pa shkollë, ti vëllanë pa shkollë, atëherë e vetmja mënyrë ishte poezia. Poezia ishte revoltë e brendshme. Pastaj ishim në demokraci dhe demokracinë kurrë nuk e mora si shpëtim, por e konceptova si diçka që do ta shpëtoj Shqipërinë, por nuk ndodhi. Kaluan gjërat nga një dorë në dorën tjetër në një formë të kamufluar dhe ajo që prita të ndodhte nuk ndodhi dhe besoj që e kam ndjerë që atëherë me atë lloj që kam shkruar.
Radio Kosova: Libri “Më lini pak q(d)iell”, është pritur shumë mirë nga lexuesit, madje kanë qenë të befasuar që ju keni shkruar poezi. Veçojmë një takim që keni pasur me disa nxënës të një shkolle në Lezhë. Si e kaluat dhe sa janë të dobishme takimet autor-nxënës, kur dihet që jemi të pushtuar nga interneti?
Nikoleta Kovaçi: Ishte njëra nga gjërat më të mira që më ka ndodhur në jetë. Ata janë një grup nxënësish që e duan letërsinë, duan gjithçka që shkruhet, dhe përballja me mënyrën se si e kishin lexuar librin ishte befasia e tretë për këtë libër. Ata janë fëmijë interesant. Janë nxënës që e duan jetën nga aty ku janë, e kanë një këndvështrim shumë të habitshëm. Përveçse e kishin lexuar librin, kishin nxjerrë dhe disa pyetje shumë të çuditshme. Aty e kuptova se pse nuk doja që poezitë e mia të dilnin ndonjëherë. Njëri prej nxënësve më bëri pyetje: “Çka është vdekja për ty", sepse kishte gjetur një varg për vdekjen. Nuk e prisja! Gjithë kohën po kujdesesha që atyre të mos ua transmetoja Nikoletën e atyre viteve ose kohën. Po përpiqesha të bëja një alternim të atyre kohëve, situatave dhe gjendjeve, mirëpo ajo më shokoi, dhe aty e kuptova që kam pasur të drejt sepse poezia duhet të jep gëzime, paçka se unë nuk jam për atë lloj poezie. Në realitetet tona, pra në realitetin shqiptar, mjafton realiteti jonë të jetë i zymtë pa qenë edhe poezia e errët. Kur e kam shkruar, e kam shkruar me hermetizëm, për këtë kam qenë e bindur qe kam qenë hermetike, por jo me idenë që unë do të dëmtoja dikë, dhe ishte befasi shumë e bukur. Kur jemi tek takimet autor-lexues, këto mungojnë. Ideja është shkrirje. Ne ende i shohim poetët dhe shkrimtarët të largët nga vetja. Unë nuk e shoh veten poete. Këto janë poezi që kanë dalë nga shpirti dhe kurrë nuk e kam menduar që të jenë në libër, por gjithmonë i kemi parë shkrimtarët të largët nga vetja, nuk ua kemi njohur botën, thjeshtë i kemi lexuar. Është gjë shumë e mirë të lexosh sepse ne vuajmë nga pa leximi dhe jo leximi, por kur afrohesh dhe përballesh me lexuesin, sidomos sikur me lexuesit që nuk dinë djallëzi, siç janë nxënësit e shkollës së mesme që janë të pastër, kur ndodh shkrirja të duket se ti je ata dhe ata janë ti. Kjo është domosdoshmëri dhe në kohën e internetit nxënësit e mirë, për ata që e duan librin, kanë arritur ta kuptojnë që interneti e ka kohën e vet një ose dy orë, dhe pastaj pjesa tjetër nëse duan të ecin, është libri. Letërsia shqipe është paragjykuar nga vet ne. Ndoshta etja jonë për të lexuar letërsinë ndërkombëtare duke besuar që letërsia e huaj është letërsi e arrirë. Sigurisht që është, por gjithsesi e kemi lënë shumë pas dore letërsinë tonë. Ne kemi autorë të shkëlqyer, kemi letërsi të shkëlqyer, paçka se ne pretendojmë se kemi vetëm një shkrimtar, një poet. Kemi ngritur kultet e individëve, por kemi letërsi shumë të mirë dhe kemi autorë shumë të panjohur dhe nuk i kemi heq barrierat për ta.
Radio Kosova: Aktualisht ju punoni tek gazeta “Panorama”, ku mbuloni kronikën e zezë. Znj.Kovaçi, sa është i vështirë ky zhanër i gazetarisë?
Nikoleta Kovaçi: E vështirë është, ndryshon në kohë dhe në perceptim. Kronika e zezë është gazetaria që kurrë s’e kam menduar që do ta bëja, por është zhanri i gazetarisë që kurrë nuk do ta ndërroja edhe sikur të kthehesha njëmijë herë mbrapa. Duke qenë se neve na ndodhi ’97-a, që përkoi kur unë fillova Fakultetin e Gazetarisë në Tiranë dhe ’97-a, ishte ajo përmbysja e madhe që mund të të bënte sërish poete, ajo poetja e revoltave të viteve ‘91 ishte ’97-a, dhe aty vendosa që, po Shqipëria ka nevojë për mend e mia, mund të bëja diçka për të. Nuk e zgjodha kroniken e zezë që unë do të bëja diçka për të, por besoj që ka qenë delli poetik që më çoj drejt përshkrimit të gjërave të dhimbshme që shihja, që prekja, por e vështirë sepse ne jemi një vend i vogël dhe është pamundur që të shkosh në vendngjarje nëse do të bësh një intervistë e mos të dalin njerëz të njohur. Ne jemi kaq vend i vogël sa është e pamundur të mos kemi lidhje që të mos përfshihesh tek ajo ngjarje, që mos ta ndjesh dhimbjen e tjetrit. Tani, nga mision me të vërtetë më është bërë profesion dhe vërtetë nuk mund të jetoj pa të.
Radio Kosova: Policia është adresa e parë ku merret informacioni. Sa janë ata bashkëpunues në këtë aspekt, dhe na veçoni ndonjë ngjarje që juve ju ka ngelur ne mendje gjatë të intervistuarit të ndonjë familjari ose të ndonjë rasti që ju keni ndjekur.
Nikoleta Kovaçi: Shqipëria ka shumë ngjarje të rënda. Kam ndjekur me qindra, mos të them me mijëra ngjarje. Çdo herë që shkoja në një vendngjarje, çdo herë thosha, po kjo është ngjarja më e rëndë. Shqipëria doli nga një sistem gjakatar. Këtë e di e gjithë Evropa. Policia s’ishte e pa trajnuar dhe e pa gatshme. Sistemi nuk prodhoi dot njerëz të duhur për vendin e duhur dhe për pasojë u bartën shumë defekte nga sistemi që lamë pas dhe policia do të ishte në të njëjtin nivel dhe për të marrë informacione për ngjarje të mëdha sigurisht që janë televizionet që kanë bërë punën e vet, por gjithmonë kam shkuar në vendin e ngjarjes. Kam dashur ta prek gjithmonë vendin e ngjarjes. Gjithmonë kisha frikën jo që policia nuk ishte e aftë, por për hir të konjukturave, për hir të rrethanave e për hir të shumëçkaje, mund të mos jetë e vërtetë dhe donte të mos jetë e vërtetë. Madje, edhe urdhrat që merrnin nga sipër nuk i linin të ishin të sakta dhe të duhura. Kam kaluar shumë e shumë raste, por që më ngelet në mendje dhe që do ta kujtoj sa të kem frymë është rasti i një gruaje që e njoha nga një gabim i imi në punë. Ju e dini, vet jeni gazetare, në punë edhe gabojnë njerëzit. Një natë, diku para 12 vjetësh, kishte ndodhur një vrasje. Pas 30 minutave ndodhi një vrasje tjetër dhe rastet ishin të rënda të dyja. Nga nxitimi përdora foton e njërit nga viktimat dhe e përdora si foto të autorit të vrasjes pa e ditur, por ishte ngatërresë shpejtësie. Të nesërmen erdhi një e-mail, në redaksi. Atë kohë punoja në gazetën “Shekulli’, dhe në atë e-mail thuhej se do t’ju hedh në gjyq sepse keni përdorur foton e një djali të vrarë për autor vrasje. Si përfundim vendosa të shkojë t’i takoj familjarët dhe rastësia qe të takojë nënën e atij djali që ishte vrarë. Ai djalë ishte vrarë gati katër muaj para se unë t’i nxjerrja foton. Nëna e tij ishte në punë në një zyrë shteti. Piva kafe me të, folëm gjatë. Ajo s’kishte djalë tjetër. Ia kishin vrarë dritën e syve. Më tha: ”Nëse një dite unë do të flasë, personi që do të flasë je ti. Më jep pak kohë se unë po e gjej vrasësin e djalit tim". Ajo po e gjente me të vërtetë. U ktheva në redaksi dhe realisht po e mbaja fjalën që nuk do të shkruaja deri se ajo ta gjente vrasësin. Unë nuk u takova me të sepse vrasësit e djalit e vranë edhe atë. Kam shkruar shpesh për Fatmirën, shkruaj statuse facebook-u, për të, kam bërë shkrime për të dhe gjithmonë kam shkruar për të. Këtë tani nuk e di, a isha unë fajtore që nuk ia mora një intervistë, nuk ia mora një fakt për ta mbajtur gjallë, por në fakt gjithmonë mendova që mund ta mundte mafien që ishte instaluar në Shqipëri, por nuk ia doli dot. Duke qenë se ishte e vetme, ata e vranë. Sot e asaj dite, sa të jem gjallë, kjo do të jetë ngjarja që më ka mbetur peng.
Radio Kosova: Znj.Kovaçi, sa trajtohet vlera dhe kontributi i gruas në medien shqiptare dhe a ka barazi gjinore?
Nikoleta Kovaçi: Barazi...është ky koncepti i barazisë gjinore që na është futur në sistemet tona. Për mua ka shumë pikëpyetje dhe ka shumë dritëhije. Unë nuk kam pranuar kurrë dhe nuk do të pranojë që kemi barazi gjinore në këtë lloj forme që na është imponuar, të paktën në Shqipëri që e njoh mirë si mekanizëm. Jam për barazinë në garë. Ne do të duhej të garojmë për një institucion, duhet të bëjmë gara, pastaj te gara duhet të shikojmë se kush është më i aftë. Barazinë gjinore e kanë futur si një ide të katapultuar nga jashtë, mos të them që ishte si detyrim dhe na janë katapultuar dhe janë vendosur në pozicione gra që kanë lanë shumë të tjera që kanë pasur formim shumë herë më të lartë. Kanë pasur deri grada shkencore dhe janë detyruar të largohen nga Shqipëria sepse nuk kanë gjetur një vend pune, ndërkohë që për barazinë gjinore që thonë këta, janë mbushur shifra, statistika kudo. Paraqitet ideja që po kemi 20% femra. Kemi 50% femra po, por nuk maten gjërat me përqindje, por sa efektive janë. Ne kemi pasur shumë pak efektivitet. Femra në momentin që futet në një punë, këta e dinë shumë mirë se është e barabartë. Kontributi është i njëjtë, sidomos privati e beson shumë femrën nga kujdesi, nga natyra. Në Shqipëri, besoj kjo është edhe me statistika, mund të jemi vendi i parë për numër popullsie, numrin më të lartë të vajzve të shkolluara. Koncepti i barazisë nuk ka ardhur në formën e duhur. Nëse futet në parlament, këtë ta keni të sigurtë, me përqindje kurrë nuk shkojnë femrat e duhura, femrat që kanë formimin e duhur, ato bëjnë betejën e tyre. Unë kam shumë konsideratë për një pjesë të tyre, por jo për pjesën tjetër. Nëse jep barazi gjinore, nëse ti je grua, do të thotë të shkosh atje dhe të jesh e barabartë me një burrë, e jo një burrë të të përdor ty si një shifër dhe në fakt barazia për mua është vetëm një shifër.
Radio Kosova - Çka pret lexuesi nga ju në të ardhmen? Do të vazhdoni me zhanrin publicistik, me prozë, apo do të vazhdoni me poezi?
Nikoleta Kovaçi: Poezinë ia kam besuar mikes time Vera Pelaj, ajo do ta ketë në dorë kurdo. Gazetaria nuk më lë të shkruaj gjë tjetër. Jam një njeri që mendoj njëzetekatër orë në njëzetekatër çka ndodh, kush vritet, pse arrestohet ky, pse nuk lirohet ky, pse i bëhet padrejtësi këtij, etj. E kam shumë të vështirë të mendoj për veten nëse ulem të shkruaj prozë sepse zhanri im është proza. Më duket luks me këtë situatë që po kaloj. Pra, kaq e angazhuar jam në gazetari sa më duket që në qoftë se ulem të shkruaj një roman apo diçka për veten time, më duket luks dhe më duket se po i hyj në hak gazetarisë, po i hyj në hak profesionit sepse kaq nevojë ka vendi dhe përditë po pakësohen mekanizmat në të cilët mund ta them këtë të vërtetë dhe ata pak njerëz që duan ta thonë të vërtetën në Shqipëri, kanë shumë pak mekanizma, kanë shumë pak dritare. Tentativa për heqjen e gazetës nga qarkullimi do të thotë shumë, është për të mos pasur fakt dhe prova. Kjo është e trishtueshme.
Radio Kosova: Faleminderit znj.Kovaçi që ndatë kohën për emisionin “Për një botë më të mirë", gjithashtu që ndatë emocionet dhe përvojën tuaj të punës me ne.
Nikoleta Kovaçi: Ju falëndero shumë. Jam shumë e lumtur që isha sot me ju, sidomos në këtë ditë të shenjt të pavarësisë.























