Abdullahu: Prekazi pretendohet të kthehet në peizazh historik| Video
K.Kasumi/RTKlive
Për të diskutuar për rëndësinë e tashëgëmisë e monumenteve dhe vendbanimeve historike e kulturore, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” ishte profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Durim Abdullahu.
Fillimisht ai tha se popujt vendbanimeve historike u përqasen në mënyra të ndryshme.
“Në botë përgjatë historisë janë artikuluar kultura të ndryshme, mënyra se si njerëzit, popujt, etnose të ndryshme u përqasen godinave, ambienteve ose vendeve të cilat kanë rëndësi për historinë dhe kulturën e tyre”, deklaroi Abdullahu.
E pikërisht sot që nis Epopeja e UÇK-së, ai tha se te kullat e Jasharëve, sado që aty është intervenuar shumë herë, edhe në vitin e fundit është intervenuar, nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë mirëmbajtja e tyre.
“Sot, meqë është 5 marsi, Prekazi pretendohet të kthehet në peizazh historik. Ky është termi që profesionistët po i referohen në terminologjinë e trashëgimisë kulturore peizazheve”, tha Abdullahu.
Ndërsa ai shtoi se në këto objekte është investuar, mirëpo trashëgimia e luftës është shumë e madhe.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, në dekadat e fundit, nuk është që nuk kanë investuar, por është aq e madhe trashëgëmia e luftës së Kosovës saqë kërkon një armatë të njerëzve dhe të profesionistëve që të mund të trajtohen në mënyrën e duhur”, tha ai.























