Ora e parë e mësimit në shkolla i kushtohet Epopesë së UÇK-së| Video
Kimete Kasumi/RTKlive
Gazetarja Flora Maxharraj, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Shkolla Fillore “Ismail Qemaili”, ka biseduar me drejtoreshën Mimoza Krasniqi, e cila ka njoftuar më hollësisht rreth aktiviteteve që kanë bërë dje, më 5 dhe sot më 6 mars, për nder të Epopesë së UÇK-së.
Ajo tha se kjo praktikë zbatohet që mbi njëzet vjet.
“Jemi në 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së. Që mbi njëzet vjet në shumicën e shkollave të Kosovës ora e parë i kushtohet Epopesë së UÇK-së, edhe shkolla jonë e zbaton këtë praktikë, në të cilën ora e parë edhe dje edhe sot i kushtohet Epopesë së UÇK-së, edhe nga mësimëdhënësit e ciklit të ulët edhe të ciklit të lartë, është prezantur puna e Epopesë së UÇK- së”, deklaroi Krasniqi.
“Është ekspozita në hollin e shkollës për Epopenë e UÇK-së. Edhe dje nxënësit kanë marrë pjesë në Kuvendin Komunal, ku janë prezentuar punimet e nxënësve për nder të Epopesë së UÇK-së”, tha ajo.
Ndërsa arsimtari i matematikës, Naim Bytyqi, me nostalgji kujton këtë datë të rëndësishme për vendin tonë.
“Çdo vit me radhë, që nga rënia e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, nxënësve ua kujtojmë ato raste. Unë si sot e kujtoj atë ngjarje, edhe pse u bënë 26 vjet”, tha ai.
“Adem Jashari është simbol i rezistencës dhe sakrificës. Ka rezistuar maksimalisht dhe është sakrifikuar me gjithë familje”, shtoi ai.























