Konjufca e uron për detyrën e re ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar
F.Sertolli / RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku e ka uruar ambasadorin për detyrën e re në krye të misionit britanik në Kosovë.
Në njoftimin për media nga Kuvendi i Kosovës thuhet se Konjufca i vlerësoi lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dy vende mike dhe me raporte të ngushta bashkëpunimi.
Ai e vlerësoi gjithashtu kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, duke theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej.
Kreu i Kuvendit vuri në pah aspiratat dhe perspektivën euro-atlantike të vendit tonë, si dhe angazhimet e institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Ambasadori Jonathan Hargreaves shprehu përkushtimin e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen për Kosovën dhe për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve.























