Publikohet libri `Vushtrria gjatë rrjedhave të historisë`|Video
K.Kasumi/RTKlive
Jeton Sallahu, historian, autor i librit "Vushtrria gjatë rrjedhave të historisë", ishte i ftuar sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” të Radio Televizionit të Kosovës.
Ai tha se e ka parë të arsyeshme të merret me historikun dhe kulturën e Vushtrrisë pasi që flitet për vjetërsinë e saj. Megjithatë, sipas tij, ai në këtë libër ka shkruar për disa çështje të cilat lidhen me identitetin e shqiptarëve, me paraardhësit e tyre - iliro-dardanët, edhe për disa gjetje të cilat do të dëshmojnë për vjetërsinë e qytetit të Vushtrrisë.
Ai tha se Vushtrria duhet parë nga shumë dimensione për të nxjerrë sa më shumë të dhëna për këtë qytet.
“Vushtrria duhet të shihet prej disa shkencave. Vushtrria ka nevojë për studime arkeologjike më shumë, për studime etnologjike, historike, arsimore. Ka shumë fusha që duhet ta kryejnë punën e vet sa i përket Vushtrrisë. Pastaj duhet pasur bashkëpunime për të nxjerrë rezultate sa më të mira sa i përket vjetërsisë së saj”, shtoi ai.
Periudha më e rëndësishme dhe karakteristike për Vushtrrinë, sipas tij, është kur e përmendin Vushtrrinë si qytet i madh pas pushtimit osman.
“Ajo kishte dëme të mëdha në luftëra, por ndërkohë Vushtrria mori rolin e një vendbanimi dhe territori që përfshin një pjesë shumë të madhe të Kosovës. Për ne janë të rëndësishme edhe varret, të cilat dëshmojnë vjetërsinë e atij vendbanimi”, tha Sallahu.























