Escobar: Vendimi për dinarin i pakoordinuar, këtë do ta diskutoj në Kosovë
Edona Podvorica / RTK
Zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Evroaziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar në një konferencë online për medie, ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe rregulloren e re të BQK-së, para se të vizitojë Kosovën.
“Prej Brukselit do të udhëtojmë në Prishtinë, ku do të fokusohemi për efektet dhe një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për dinarin…”, tha Escobar.
“Ne nuk po e vëmë në diskutim legjitimitetin e vendimit, por zbatimin e tij. Ne kemi nevojë që Qeveria e Kosovës të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejmë një zgjidhje për këtë vendim që ishte katastrofik”, shtoi ai.
Escobar ka thënë se ekziston mungesë komunikimi në qarqet diplomatike mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurtin, v.j.]. Dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, nënvizoi Escobar.
Ai tutje ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia ta marrin seriozisht dialogun. Ai e ka cilësuar dialogun në një “moment kritik”.
“ I inkurajoj të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura, sidomos atë të arritur në Ohër. Kjo është njëra ndër arsyet primare që po vizitojë Kosovën”, theksoi tutje Escobar.
I dërguari amerikan, tha se “Kosova duke injoruar dialogun po injoron partnerët evropianë”.























