Escobar për REL: Kurti refuzoi propozimet për dinarin
REL
(E përditësuar) I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.
“Kryeministri tha se ky ishte vendim i një institucioni të pavarur”, tha Escobar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë të premten, në përfundim të vizitës së tij në Kosovë, të cilën e nisi më 13 mars.
Escobar, megjithatë, tha se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.
Ai shtoi se nuk ka marrë asnjë garanci nga kryeministri i Kosovës kur bëhet fjalë për të çuar përpara draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Mendojmë se sulmi në Banjskë kishte lidhje financiare e organizative me Serbinë
I pyetur nëse SHBA-ja sheh ndonjë lidhje midis sulmit në Banjskë dhe shtetit të Serbisë, Escobar tha: “Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë në tërësi”.
“Ne nuk po i kërkojmë Serbisë hetime të 24 shtatorit (kur ndodhi sulmi në Banjskë”, ne po i kërkojmë llogaridhënie”, tha Escobar.
Escobar pranoi se ka, siç tha, “shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes, jo vetëm në Uashington, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris”.
Escobar: Janë dy kushte të tjera për Këshillin e Evropës
Escobar tha se është për tu vlerësuar vendimi i Qeverisë, për Manastirin e Deçanit dhe se vendimi i Gjykatës duhej të zbatohej.
“Shikoni, është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin, megjithëse pjesërisht është, por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Dhe, kështu që duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë”, tha ai.
Sipas Escobar Kosova tani po tregon që ka pjekurinë për t’i pranuar rezultatet e një vendimi kushtetues, sado jopopullor të jetë. “Por, është gjëja e duhur për t'u bërë sepse është gjëja ligjore që duhet bërë. Kështu që, do të ketë një efekt”.
Por sipas tij Kosova ka edhe dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha Escobar.
Ai shtoi se nuk ka marrë asnjë garanci nga kryeministri i Kosovës kur bëhet fjalë për të çuar përpara draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Escobar, pos tjerash, tha se shqetësohet se kjo "Qeveri e Lëvizjes Vetëvendosje ka më pak miq në Evropë sesa duhet. Tani ju keni ende shumë miq në Evropë, por ka edhe shumë skepticizëm se ku po shkon ky vend”.























