Mulolli: Deklaratat e sotme të Escobarit nuk ishin mesazhe të mira
BKT
Lajme

Mulolli: Deklaratat e sotme të Escobarit nuk ishin mesazhe të mira

Valbona Thaçi / RTKlive

Deklaratat e sotme të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk ishin mesazhe të mira për Kosovën. Kështu  tha analisti Fitim Mulolli në magazinën “Lajmet e fundit” në RTK.

Mulolli tha se deklaratat e ashpra që i ka bërë sot Escobar, janë të ndikuara nga qeveria, e cila ka lëshuar komunikatë, duke folur vetëm në veten e parë, e duke mos treguar aspak se çka ka kërkuar Escobar nga kryeministri Kurti.

Sipas tij nuk ka ndonjë arsye tjetër që Escobar të ketë ndërruar qëndrim brenda 24 orëve.

“Escobar sot ishte më i ashpër në deklaratat e tij ku foli edhe në emër të qendrave tjera, në emër të vendimmarrjes evropiane, duke treguar se marrëdhëniet janë thuajse të ngrira me të gjitha këto qendra. Kjo nuk është aspak e mirë për kryeministrin, qeverinë e Kosovës dhe as për popullin e Kosovës”, tha ai.

Ai tutje tha se dinari është bërë çështje në kuadër të dialogut.

“Tani po zbehet pesha e rastit të Banjskës pas vendimit për zbatim të ndalimit të dinarit”, tha ai, duke shtuar se kjo çështje tani po ngritët në Bruksel dhe po bëhet temë e dialogut.

“Po shtyhet procesi, po shtyhet integrimi, shtyhet heqja e masave ndaj Kosovës dhe vendi po ballafaqohet me shumë pasoja”, shtoi ai.


MË SHUME NGA Lajme