Hovenier: S’ka rrugë tjetër pos dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve
BKT
Foto:RTK
Lajme

Hovenier: S’ka rrugë tjetër pos dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve

E.Podvorica/RTK

“Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve”. Kështu ka deklaruar të premten në konferencën e Këshillit të Ambasadorëve, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili foli për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë 25 vjet më parë.

“Para 25 vjetësh dhe deri tash, për çlirimin e Kosovës, populli amerikan ka qenë, është dhe do të jetë krenar që ka qëndruar krah për krah popullit të Kosovës derisa ju keni ndërtuar, ndërtoni dhe do të vazhdoni të ndërtoni që nga zeroja një demokraci shumetnike e solide...Tani rruga e vetme e Kosovës për integrimin ne institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE”, ka deklaruar Hovenier.

Ai ka thënë se nuk ka rrugë tjetër, dhe “posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog”.

“Kjo nuk është e negociueshme, e shohim këtë Qeveri të Kosovës, ashtu siç kemi kërkuar nga të gjitha qeveritë paraprake që të punojë në partneritet me ne derisa vazhdojmë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në këtë rajon”, tha Hovenier, sipas të cilit, secili individ në Kosovë duhet të jetojë në kushte dinjiteti, lirie e sigurie pa marrë parasysh etninë.

Ambasadori amerikan foli edhe për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa përmendi edhe të ardhmen e Kosovës në NATO dhe kushtet që duhet plotësuar për anëtarësim.


MË SHUME NGA Lajme