Krasniqi: Mërgata duhet përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës
A.B/RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të konstituimit të Degës së PDK-së në Belgjikë, të mbajtur në Bruksel, ku kryetar u zgjodh, Jetlir Llugani.
Kryetari Krasniqi duke falënderuar mërgatën dhe tha se lidhja mes tyre është krijuar përmes shumë dekadave të luftës, sakrificës dhe shpresës së pandërprerë për një të ardhme më të ndritshme për shtetin dhe popullin tonë.
“Që nga lufta heroike për liri e UÇK-së, përmes rrugëtimit të mundimshëm drejt pavarësisë, deri te përpjekjet e vazhdueshme për shtetndërtim, ju keni qenë shtyllat e forcës dhe të mbështetjes tonë. Prandaj, para se të vazhdojë tutje me këtë fjalim, dua që të përfitoj nga rasti dhe të shpreh një falënderim nga zemra për ju – mërgatën tonë – heronjtë e heshtur të shtetit tonë. Dhe, si të tillë, ju jeni pjesë përbërëse, e pandashme dhe tejet e nevojshme për të ardhmen evropiane të Kosovës. Prandaj, siç e kam deklaruar edhe më parë, nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen këtë vit, ju duhet të jeni dhe do të jeni të përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe me deputetë nga mërgata, sepse, Kosova ka nevojë për ju”, theksoi ai.
Ndërkaq, kryetari i sapozgjedhur i Degës së PDK-së në Belgjikë, Jetlir Llugani ka falënderuar lidershipin e partisë për prezencën dhe të gjithë delegatët për besimin e dhënë, duke uruar suksese të përbashkëta. “Organizimi politik në mërgatë i Partisë Demokratike të Kosovës, po vijon, në një situatë të rëndë politike, pas dështimeve të një Qeverie të paaftë në Republikën e Kosovës. Duke qenë të shqetësuar me degradimin qeverisës në atdhe, ne jemi organizuar me një përkushtim dhe motivim shtesë për pjesëmarrjen e shtetasve tanë për konsolidimin e radhëve tona që të japim dhe ne kontributin tonë për zgjedhjet nacionale që duhet të mbahen sa më parë për të mirën e Kosovës”, u shpreh Llugani.























