Masakra e Krushës po dokumentohet nga rrëfimet e të mbijetuarve
K.Kasumi/RTKlive
Ministria e Kulturës ka njoftuar se mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua një botim shumë i rëndësishëm për historinë e Kosovës. Një vëllim i librave që përfshijnë transkriptimin e 200 intervistave të dëshmitarëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe.
Sipas njoftimit të MKRS-së, në këtë hulumtim janë përfshirë 33 hulumtues dhe është mentoruar nga profesorët Arsim Canolli, Tahir Latifi dhe Shemsi Krasniqi.
Tutje në njoftim thuhet se në emër të Qeverisë së Kosovës, në këtë ngjarje ka folur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka theksuar se këto vëllime nuk do të na shërbejnë vetëm neve, por edhe gjeneratave të reja që krimet e bëra nga Serbia në Kosovë të mos harrohen kurrë.
Fjalë rasti kanë mbajtur edhe kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, profesori Tahir Latifi dhe Miradije Ramadani, e mbijetuar e masakrës së Krushës së Madhe.
Aktiviteti që u organizua në përvjetorin e maskarës u mbyll me ekspozitën në të cilën pasqyrohen disa fragmente nga videointervistat e transkriptuara të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe.























