Anushiç: Kosova do ta ketë gjithmonë mbështetjen e Kroacisë
V.Thaçi / RTKlive
Në kuadër të takimeve me homologët e vendeve partnere, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka pritur në vizitë ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anusic.
Në takimin e mbajtur, u diskutua rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, shërbimin e trupave kroate në kuadër të KFOR-it, kapacitetet mbrojtëse të Kosovës dhe drejtimeve ushtarake, ku mund të rritet bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Kroacisë.
Ministri Maqedonci, theksoi se Kosova dhe Kroacia ndajnë të kaluar të gjatë të përbashkët si miq, aleatë e partnerë, raportet ndërmjet të cilave shtete do të vazhdojnë të zhvillohen në përputhje me synimet tona për paqe, stabilitet e siguri.
Maqedonci e falënderoi homologun e tij për mbështetjen e deritanishme në fushën e mbrojtjes, shkollimin dhe trajnimin e ushtarakëve të FSK-së, ndërsa i kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut.
Në anën tjetër, ministri kroat i Mbrojtjes, Anusic, theksoi se Kosova do të ketë gjithmonë mbështetjen e Kroacisë në luftën kundër terrorizmit, ruajtjes së sovranitetit të vendit dhe po ashtu, në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në Këshillin Evropian.
























