Prokuroria Speciale:Berishaj u intervistua me dyshimet për tri vepra penale
BKT
Foto: Qendresa Duraku/ RTK
Lajme

Prokuroria Speciale:Berishaj u intervistua me dyshimet për tri vepra penale

Qendresa Duraku/RTK/

(Plotësuar 19:08) Prokuroria Speciale ka njoftuar se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale.

Siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga ky institucion, Berishaj është intervistuar me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’.

“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”, thuhet në komunikatë.

Gashi: Berishaj më herët kishte kërkuar vetë të deklarohet në Prokurori

(Plotësuar 18:48) Avokati Tomë Gashi ka dhënë detaje lidhur me intervistimin e sotëm të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga Prokuroria Speciale në Prishtinë, ai tha se deklarimi ka përfunduar.

"Deklarimi është krye. Ka pasur iniciativë vetë, të shkruar prej Martin Berishajt, para një vit e gjysmë, kështu që meqenëse është konfidenciale nuk mundem më tepër me ju thënë”, tha Gashi.

Ndërsa në pyetjen se a ka hetime ndaj tij, a ka pasur një kallëzim penal, ka pas ftesë për intervistm, Gashi tha se për këtë duhet pyetur Prokurorinë.

“Atë duheni me pyet prokurorinë, unë ju thash që është deklarim konfidencial për sqarimin e situatave të cilat kanë qenë publike në medie, më tepër nuk kam çka me ju thënë”, tha ai.

Kurse i pyetur se a është kryer intervistimi, Gashi tha se “ndoshta është kryer më herët, ndoshta sot, ndoshta para një jave, ndoshta ka me u krye në të ardhmen".

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale: Nuk ka aktakuzë ndaj Martin Berishajt

(Plotësuar 17:00) Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu ka deklaruar për media se nuk ka informacion nëse ambasadori Martin Berishaj është në objektin e Prokurorisë Speciale apo është duke u intervistuar, por ka bërë të ditur se nuk ka aktakuzë ndaj tij.

“Kërkoj ndjesë për shkak të mos-informimit por as unë nuk kam informata se a është intervistuar. Nuk kam informata që mundem t’i ndaj me juve. Nëse do kishte aktakuzë do t’iu kishim informuar. Përderisa nuk iu kemi informuar, nuk ka aktakuzë”, tha Lutfiu.

Ekipet televizive mbi 7 orë po vazhdojnë të qëndrojnë para objektit të Prokurorisë Speciale në pritje për të marrë prononcim nga avokati i Berishajt, Tomë Gashi.

Megjithatë, ky i fundit në një postim në Facebook ka thënë se Martin Berishaj qysh më 27 janar të vitit të kaluar ka paraqitur kërkesë për të dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me pretendimet që kanë dalë në media.

Gashi: Martin Berishaj ka dhënë deklaratë në Prokurorinë Speciale

(Plotësuar 16: 45) Avokati Tomë Gashi ka dhënë detaje lidhur me intervistimin e sotëm të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga Prokuroria Speciale në Prishtinë.

Përmes një postimi në Facebook, avokati Gashi ka thënë se Martin Berishaj qysh më 27 janar të vitit të kaluar ka paraqitur kërkesë për të dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me pretendimet që kanë dalë në media.

“Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale. Unë për shkak të kësaj situate, si avokat i Martinit, nuk mund të ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”, ka theksuar Gashi.

Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po intervistohet nga Prokuroria e Speciale në Prishtinë.

Berishaj gjendet në Prokurorinë Speciale që nga ora 8:30 e mëngjesit, ndërkaq RTK-së i është kërkuar që për informacione shtesë të pritet avokati i tij.

Ky intervistim vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar në media.

Ndërkohë u.d Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj u pa teksa doli nga ndërtesa e i cili nuk deshi të flasë para kamerës.

Me insistimin e gazetarëve ai konfirmoi se Martin Berishaj është duke u intervistuar nga  Prokuroria Speciale.


MË SHUME NGA Lajme