Drejtori i RTK-së viziton RTSH-në: Të rrisim bashkëpunimin
rtsh.al
Radio Televizioni Publik Shqiptar dhe Radio Televizioni i Kosovës hedhin hapa të mëtejshme në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dy palësh. Drejtori i Përgjithshëm i (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, vizitoi ambientet e RTSH-së, ku u prit nga drejtori i Përgjithshëm, Alfred Peza.
Pas takimit dypalësh, ku u diskutua për rrugët e bashkëpunimit mes dy mediave publike me nisma dhe projekte konkrete, drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza, e shoqëroi homologun nga Kosova dhe delegacionin nga RTK në ambientet e rinovuara të Radios dhe Televizionit.
Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, u nda i impresionuar për ndryshimet e mëdha që media publike ka bërë në kaq pak muaj.
“Vërtet u mrekullova, sepse pashë një ndryshim të madh brenda një periudhe të shkurtër, shoh një transformim komplet të RTSH-së. Nga një ndërtesë, e cila para një viti ishte goxha e zymtë, ajo që pashë sot është goxha mbresëlënëse, me kuptimin e ndryshimit të imazhit të Radio Televizionit Shqiptar. Pra shohim një studio më moderne, më shumë angazhim dhe më shumë prodhim dhe janë disa emisione që më bëjnë shumë përshtypje, sidomos emërtimet që ato kanë, të cilat janë shumë afër publikut, madje edhe publiku i Kosovës do të ishte i interesuar" u shpreh drejtori i RTK-së.
Të njëjtën ndjesi, drejtori Ahmetxhekaj ndau edhe për ndryshimet në Radio Tirana. Me futjen e ‘Podkastit’ në programacion, Radio Televizioni Shqiptar bëhet media e tretë që përqafon këtë risi në rrjetin e transmetimeve evropiane (EBU), që për drejtorin e (RTK) është një model frymëzues që duhet ndjekur.























