Regjistrimi i popullsisë, sfidë mbetet komuniteti serb në veri|Video
Qendresa Duraku / RTK
Procesi i regjistrimit të popullsisë, i ekonomive familjare dhe banesave, po shkon sipas planifikimit.
Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thonë se aktualisht 98 % të mbikëqyrësve janë aktivë, derisa 90 % të regjistruesve që janë paraparë, janë në terren. Në proces po marrin pjesë të gjitha komunitetet, ndonëse ka disa sfida me komunitetin serb.
"Aktualisht kemi disa sfida nga komuniteti serb në disa pjesë jo në gjithë Kosovën. Ne presim që këto ditë ato sfida të tejkalohen. Dje ishim në pjesën veriore me disa kolegë dhe supozohet që ditëve në vijim do të angazhohen edhe ata. Është shumë me rëndësi të dimë se gjitha aktivitetet që janë paraparë deri para regjistrimit janë kryer dhe kemi hyrë në një fazë të grumbullimit të të dhënave në terren. Pajisjet janë adekuate dhe shumë funksionale dhe e kemi kaluar një pengesë teknike. Sistemi është duke funksionuar sepse ka qenë sfidë nëse do të funksionojë i gjithë sistemi, nuk kemi pasur asnjë telashe sa i përket sistemit” , ka thënë Avni Kastrati, u.d. kryeshef Ekzekutiv i ASK-së.
Për Listën Serbe, e cila ka bërë thirrje për mospjesëmarrje të komunitetit serb në regjistrim, nëse duhet që ndaj saj të hapet rast penal sipas ligjit, për pengim të realizimit të kësaj të drejte, juristi Mazllum Baraliu, i angazhuar nga ASK-ja për këtë proces regjistrimi, tha se kjo është çështje e KQZ-së e cila duhet ta vlerësojë dhe t`i marrë hapat e duhur.
“Është një thirrje publike nuk është përherë të parë nga një subjekt politik, mirëpo, çështja e heqjes së legjitimitetit publik të ekzistimit në regjistrin e partive politike në KQZ të një subjekti politik është çështje ligjore dhe ka procedurë. Është çështje e KQZ-së ta vlerësojë dhe të marrë hapat e duhura. Dëm është për secilin individ dhe komunitet që nuk merr pjesë sepse buxheti për secilën komunë caktohet projkete të ndryshme grande të ndryshme vendoset në bazë të numrit të qytetarëve”, ka thënë Baraliu.
Sipas shefit të IT-së, deri të dielën kanë përfunduar rreth 8 mijë intervista dhe janë përfshirë të gjitha entitetet.
ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh.
Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milion banorë.























