KQZ për kamerat: Do të vlejnë për çdo proces zgjedhor
Medina Pasoma / RTKlive
Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve në një konferencë për media është sqaruar për vendosjen e kamerave si proces i ri në zgjedhjet që priten të mbahen më 21 prill, por që do të ekzistojë tash e tutje në çdo proces zgjedhor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pikërisht fakti i rinumërimit të 36% të vendvotimeve në proceset zgjedhore 2009-2021 është një nga arsyet që çon në këtë vendim.
“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, ka thënë Elezi.
Në të njëjtën kohë, sipas KQZ-së kamerat do të vendosen duke siguruar fshehtësinë e votës, teksa kanë thënë se “ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit”.
“KQZ në ditën e votimit nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive. Në videoregjistrim mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese: KQZ-së, PZAP-it, Prokurorisë apo Gjykatës dhe jo në rrethana tjera”, ka deklaruar Elezi.
Ndërkaq sipas vendimit të KQZ-së, për certifikimin e Listës së Votuesve për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut është: 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para një viti, më 23 prill 2023.
“Në votues të rinj përfshihen të gjithë ata persona që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill 2023 apo persona që më herët nuk kanë qenë në Listën e kaluar votuese, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil apo votues që kanë ndërruar komunën pas atyre zgjedhjeve”, njofton Elezi.























