Kurti bën homazhe në Sllovi të Lipjanit në 25-vjetorin e masakrës
M.P. / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe në Sllovi të Lipjanit, në 25-vjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe në këtë fshat gjatë luftës.
Ai tha se gjenocidi i kryer nga forcat serbe, nuk ka arritur që ta shfarosë popullin shqiptar. Duke theksuar se pikëllimi dhe dhimbja kanë mbetur ende, ai tha se ata që kanë qenë agresorë kanë dështuar në planin e tyre.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti është njoftuar më hollësisht për masakrën ku mbetën të vrarë 45 civilë nga të mbijetuarit e ngjarjes.
“Gjatë bashkëbisedimit me të mbijetuarit e masakrës dhe banorët e fshatit, ata treguan se ishin dëshmitarë të rasteve të rënda të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës, vrasjet mizore me sëpatë, djegiet e trupave të pajetë dhe përpjekjet për zhdukjen e tyre në varreza masive”, thuhet në njoftim.
Në këto homazhe, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

























