Dabishevci: Vështirë të shkrihet artistikisht tematika e luftës|Video
K. Kasumi / RTKlive
Sot (e martë), me fillim nga ora 12:00, në Institutin Albanologjik promovohet libri i fundit me poezi "E gjithkohshmja Andërr" i Donika Dabishevcit, e cila sot ishte e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës.
Ajo tha se ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe i ka marrë kohë të gjatë ky libër, rreth tri-katër vjet.
“Një punë goxha të madhe kam bërë në të për shkak se tematika e luftës është vështirë të shkrihet artistikisht pa e rënduar emocionalisht. Më është dashtë të kaloj një kohë në mënyrë që mos t’i jap emocion të pastër, por asimilues lexuesve dhe natyrisht që lufta, me të gjitha ingranazhet e saj, është problematike të rrahet si tematikë”, tha Dabishevci.
Ajo shtoi se në libër trajton kryesisht vuajtjet e njerëzve të thjeshtë gjatë luftës, fëmijët e vegjël të vrarë, të zhdukurit, familjarët që mbledhin copëra njerëzish të masakruar, edhe burrat e vënë para pushkatimit, të dhunuarat dhe të gjitha situatat e tjera të tmerrshme të çdo lufte.























