Flet babai i Fahri Fazliut: Veprimi i Speciales na ka shqetësuar
Edina Avdiu | RTK
(Plotësuar: 13:15) Fadil Fazliu, babai i Fahriut, i cili sot u arrestua nga Gjykata Speciale, e më pas u lirua, ka treguar për RTK-në se si familje kanë qenë të shqetësuar me atë çfarë i ndodhi djalit të tyre.
“Sot rreth orës 8 pasi e ka dërguar djalin e tij në çerdhe, duke u kthyer me makinë e kanë arrestuar. Ky veprim thjesht na ka shqetësuar sepse nuk e dimë arsyen”, ka thënë Fadil Fazliu për RTK-në.
Ai tutje ka thënë se djali i tij ka qenë vetën 8-vjeç në kohën e luftës e pas lufte nuk ka bërë asnjë krim. “Në qoftë se ka ndejë me ata shokët që janë në Hagë dhe njerëz të tjerë, ajo është e drejtë e jona të rrimë me gjithkënd. Kjo punë nuk është e ndaluar”, ka shtuar Fazliu.
Ai ka treguar se pas lirimit djali i tij e ka telefonuar dhe i ka treguar që iu ka konfiskuar telefoni.
Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorit të Specializuar të Kosovës, Christopher Bennett në një përgjigje me shkrim për RTK-në ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka koment rreth arrestimit, e më pas lirimit të Fahri Fazliut në Prishtinë.
Lirohet Fahri Fazliu, Specialja ia konfiskon telefonin
(Plotësuar, 11:30) Fahri Fazliu është liruar pas arrestimit nga Gjykata Speciale.
Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në, avokati i Fazliut, Artan Çerkini.
Ai ka bërë të ditur se Fazliut i është konfiskuar telefoni.
"Po, mund të ju konfirmojë se është liruar. Nuk është intervistuar, vetëm i është konfiskuar telefoni dhe më pas është liruar", ka thënë Çerkini.
Specialja arreston Fahri Fazliun
Gjykata Speciale e ka arrestuar Fahri Fazliun, nipin e dy dëshmorëve të kombit, Bahri e Fahri Fazliut.
Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në babai i Fahriut, i cili tha se i biri është arrestuar nga policia e EULEX-it duke e dërguar djalin në çerdhe dhe se ende nuk dihen arsyet e arrestimit. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Faton Klinaku nga OVL-UÇK. Kujtojmë se Gjykata Speciale në shtator të vitit të kaluar e pati bastisur banesën e Fahriut, të cilit i ishte konfiskuar edhe telefoni.























