Përfundoi pa sukses takimi i kryenegociatorëve për çështjen e dinarit
Gjeraqina Tuhina| Bruksel| RTK
(E plotësuar) Takimi për çështjen e dinarit, në Bruksel, përfundoi pa rezultat. Takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, u mbajt me ndërmjetësimin e emisarit evropian, Mirosllav Lajçak.
Palët konfirmuan se emisari Lajcak doli me një propozim të ri. Kosova dhe Serbia kanë një javë kohë të dërgojnë komentet e tyre lidhur me këtë propozim. Takimi i radhës do të mbahet në mesin e muajit maj.
Në Bruksel fillon takimi trepalësh
Ka nisur takimi i përbashkët mes kryenegociatorëve të Kosovës me ndërmjetësimin e emisarit evropian për të vazhduar diskutimet e asaj që quhet ‘çështja e dinarit”.
Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq më ndërmjetësimin e Mirosllav Lajçak do duhej të deklarohen lidhur me propozimin evropian për mënyrat si të zbatohet rregullorja e BQK-së sipas të cilës, euro është valuta e vetmja e vlefshme për pagesa me para të gatshme.
Është ky takimi i pestë e kryenegociatorëve ku trajtohet e njëjta çështja. Në takimin e fundit nuk u zhvillua takimi i përbashkët meqë pala serbe erdhi me propozim të ri, ndonëse takimi ishte organizuar për tu deklaruar palët lidhur me propozimin evropian. Këtë propozim e pranon pala Kosova, ashtu siç kishte deklaruar Besnik Bislimi.
Kësaj radhe nuk janë zhvilluar takimet e ndara mes delegacioneve dhe ndërmjetësit evropian, por është kaluar direkt në takimin trilateral.























